Gara e kandidatëve për president, e varur nga nënshkrimet e qytetarëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Arben Taravari nga koalicioni VLEN i opozitës shqiptare, dhe Maksim Dimitrievski nga Partia ZNAM (Për Maqedoninë tonë), janë të vetmit që deri më 28 shkurt, kanë mbledhur nga 10.000 nënshkrimet e nevojshme të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, më 24 prill.

Afati për paraqitjen e kandidaturave me nënshkrime apo me mbështetjen e 30 deputetëve, skadon më 8 mars.

Deri atëherë nënshkrime do të mbledhin edhe tetë kandidatë partiakë dhe të pavarur, por prej tyre afër përmbushjes së kushtit për pjesëmarrjen në zgjedhje janë, Biljana Vankovska nga partia E Majta dhe Stevçe Jakimovski nga partia GROM (Opsioni qytetar për Maqedoninë).

Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, tha se pas mbledhjes së nënshkrimeve kjo parti do të nisë me prezantimin e programit para opinionit, e që në fokus ka ndryshimin e modelit zgjedhor në të ardhmen, apo zgjedhjen e presidentit në Kuvend.

Advertisement

“Pas përfundimit me sukses të procesit, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Bujar Osmani do të fokusohen në prezantimin e ideve tona para qytetarëve, të cilat jemi të bindur se do të pranohen dhe do të mbështeten. Ideja progresive e liderit të partisë, Ali Ahmeti, është që presidenti të zgjidhet në Kuvend me dy të tretën e votave dhe me Badinter apo votim të dyfishtë, me votat edhe të bashkësive etnike për të parandaluar mbivotimin etnik apo imponimin e vullnetit vetëm të dy partive etnike maqedonase”.

Opozita shqiptare ndërkohë tha se mbledhja e nënshkrimeve për më pak se 24 orë për kandidatin e saj, Arben Taravari, flet se “shqiptarët e duan ndryshimin”.

“Neve na bashkon platforma, na bashkon programi, na bashkon oferta dhe zgjidhja konkrete për problemet e shqiptarëve. Pak kanë rëndësi ngjyrat partiake, individët dhe çështjet tjera. Për çdo ditë koalicionit VLEN, i bashkohen edhe grupe të tjera, organizata joqeveritare dhe intelektualë të pavarur. Në këtë kuadër flasin edhe anketat se kandidati ynë është fitues absolut i zgjedhjeve”, tha Izet Mexhiti, një nga drejtuesit e koalicionit opozitar VLEN.

Dy partitë më të mëdha maqedonase, Lidhja Social Demokrate e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe OBRM-PDUKM-ja opozitare e Hristijan Mickoskit, kanë numrin e mjaftueshëm të votave të deputetëve për zyrtarizimin e kandidaturave të tyre.

Advertisement

Lidhja Social Demokrate pritet të shtunën, më 2 mars, të nominojë presidentin aktual, Stevo Pendarovski.

“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike progresive, individëve e organizatave joqeveritare ta mbështesin kandidatin tonë dhe t’i bashkohen koalicionit Fronti Evropian”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

Më 3 mars, kandidaturën e Gordana Siljanovska-Davkovas do ta promovojë edhe OBRM-PDUKM-ja. Por, pavarësisht se kjo parti ka 30 deputetë për nominimin e saj në Kuvend, ajo ka vendosur që të mbledhë edhe 10 mijë nënshkrime.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, ngriti dyshime për “blerje të nënshkrimeve” nga disa parti politike.

Advertisement

“Jam i tmerruar nga informacionet që marr nga terreni se jepen madje edhe para për të siguruar nënshkrime për kandidaturat. Kemi raste të dokumentuara, të cilat i janë dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar procedurën e ndjekjes penale. Sa i përket OBRM-PDUKM-së, edhe pse nuk e kemi obligim pasi kandidatura jonë mund të propozohet vetëm me firmat e 30 deputetëve, megjithatë ne do të kërkojmë edhe mbështetjen e qytetarëve dhe besojmë se nënshkrimet do t’i mbledhin për disa orë”, u shpreh Mickoski.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj./REL/

Gara e kandidatëve për president, e varur nga nënshkrimet e qytetarëve shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy