Intelektualët bullgarë kundër memorandumit të Sofjes, Zaev nuk pret bllokadë nga Bullgaria

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Tridhjetë historianë, shkencëtarë, profesorë universitarë dhe figura publike bullgare kanë lëshuar letër të përbashkët për opinionin kundër memorandumit të dërguar nga Sofja për vendet anëtare të BE-së, duke përshkruar akuza serioze dhe vija të kuqe gjatë rrugës së Shkupit drejt BE-së.

Në letrën “Evropa nuk na kupton”, transmetuar nga “mediapool.bg”, ata këmbëngulin në “ndryshim thelbësor të paradigmës në të menduarit historik” dhe shkruajnë se nuk pajtohen që “Maqedonia e Veriut të paraqitet vetëm si vend që nuk merret me të kaluarën e vet”. Sipas tyre, Sofja demonstron kuptime të vjetërsuara dhe bën pretendime të paqëndrueshme dhe naive kundër Maqedonisë të Veriut.

Nënshkruesit e letrës së përbashkët besojnë se memorandumi nuk pasqyron arritjet e shumë historianëve bullgarë në dekadat e fundit dhe është i pakuptueshëm edhe për Evropën.

“Ne nuk e shohim se si Evropa mund t’i kuptojë tezat e disa studiuesve bullgarë me ndikim institucional, të cilët nuk flasin gjuhën e historiografisë moderne ose shkencave bashkëkohore humane dhe shoqërore. Memorandumi nuk pasqyron parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, thuhet në letër. Rikujtojnë se kohët e fundit bashkëkrysuesi i Komisionit të përbashkët të ekspertëve multidisiplinar bullgaro-maqedonas për Çështje Historike dhe Edukative, Angel Dimitrov, deklaroi se memorandumi bullgar pasqyron arritjet e “shkencës historike bullgare”, ndërsa disa ditë më parë, anëtari i Komisionit të lartpërmendur u ankua tek mediat bullgare që “Evropa nuk na kupton”.

Advertisement

Mbështetësit e qëndrimit kundër memorandumit nuk pajtohen që Maqedonia e Veriut duhet të paraqitet si vend që nuk “merret me të kaluarën e vet”.

Ata gjithashtu konsiderojnë se pretendimet në memorandum për identitetin e “shumicës dërrmuese të popullsisë sllave në Maqedoni” janë historikisht naive dhe nuk korrespondojnë me arritjet e historiografisë moderne, shkencës sociale dhe humanitare. Sipas tyre, këto pretendime i nënshtrohen kuptimit të vjetruar të “historisë kombëtare”, e cila sot është e papërshtatshme në lidhje me shkencën kritike historike.

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë deklaroi se nuk pret që Bullgaria ta pengojë fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Edhe një herë përsëriti se çështjet e identitetit, gjuha maqedonase, populli maqedonas, janë e drejtë e vetëpërcaktimit, që nuk mund të kontestohen.

“Edhe një herë them – çështjet e identitetit, gjuha maqedonase, populli maqedonas janë e drejtë e vetëpërcaktimit. Bullgaria është vend evropian dhe besoj që në vet bisedat, në dokumentet është për shkak të përpjekjeve të tyre, ambicjeve dhe dëshirave të arsyeshme që të gjendet zgjidhje e përbashkët të nderimit të përbashkët të Goce Dellçevit. Assesi nuk pres të kemi pengesa në atë pjesë, për shkak të asaj definitivisht nga fillimi e deri sot Bullgaria është një nga përkrahëlsit më të mëdhenj, nëse jo edhe më i madhi, i Republikës së Maqedonisë së Veriut në integrimet në BE. Populli bullgar dëshiron t’i ndihmojë popullit maqedonas, populli maqedonas dëshiron që në mënyrë miqësore të përcaktohet drejt popullit bullgar dhe ashtu do të lëvizin edhe vetë politikanët ose intitucionet, në përputhje me dëshirën për miqësi dhe bashkëpunim edhe më të madh”, tha Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në shënimin e mbrëmshëm të Ditës botërore të arsimtarëve në sheshin “Maqedonia” në Shkup.

Advertisement

Ndërkohë, bashkëkryetari i Komisionit të përbashkët maqedonas-bullgar për çështjet historike dhe arsimore nga pala maqedonase, Dragi Gjorgiev, javën e kaluar konfirmoi se takim i ri i Komisionit është planifikuar për më 15 dhe 16 tetor të këtij muaji në Shkup. Takimi pason pas ndërprerje prej një viti, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vendin tonë, të planifikuara fillimisht për më 12 prill, dhe më pas u zgjat deri më 15 Korrik, për shkak të pandemisë me COVID–19.

Intelektualët bullgarë kundër memorandumit të Sofjes, Zaev nuk pret bllokadë nga Bullgaria shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy