Janevska: Shkollat ​​të mos shpërndajnë tekste shkollore të dëmtuara, MASH-i do t’i zëvendësojë me të reja para 1 shtatorit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Në vend që shkollat ​​t’u shpërndajnë nxënësve tekste shkollore të dëmtuara dhe të papërdorshme, duhet t’i paraqesin në sistemin elektronik të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe ato do të zëvendësohen me të reja para fillimit të vitit të ri shkollor. Për këtë qëllim janë siguruar mjete buxhetore dhe nuk ka nevojë që ti zhgënjejmë as nxënësit e as prindërit e tyre, të cilët me të drejtë reagojnë në ministri se fëmijët e tyre po marrin tekste shkollore pa kopertina dhe faqe të grisura”.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën e sotme për media kushtuar prokurimit të teksteve shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme për vitin e ri shkollor 2025-2026.

“Kjo sfidë nuk duhet të ekzistojë fare. Çdo shkollë ka komision për tekste shkollore që mund të vlerësojë lehtësisht nëse një tekst shkollor mund të përdoret apo nuk mund të përdoret, dhe ai tekst që nuk është për përdorim nuk duhet të kthehet në fondin e bibliotekës dhe pastaj t'i dorëzohen dikujt. Duhet të njoftohet Shërbimi Pedagogjik pranë Ministrisë dhe të plotësohet tirazhi i nevojshëm”, tha Janevska, duke shprehur pritshmëri më të madhe të anëtarëve të komisioneve shkollore të teksteve shkollore.

Ministrja rikujtoi se tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të tretën shtypen në tirazh të plotë çdo vit shkollor, kështu do të jetë edhe këtë vit, duke qenë se bëhet fjalë për të ashtuquajturat “tekste pune” që përmbajnë material që plotësohet me shkrim, ngjyrosje, prerje.

Advertisement

“Tekstet e reja me përmbajtje të avancuar do të jenë edhe për klasën e shtatë, sepse në shtator fillon zbatimi i programeve të reja mësimore. Ju kujtohet se kemi modifikuar Konceptin për Arsimin Fillor të Qeverisë së kaluar, i cili parashikonte integrimin e lëndëve si historia dhe gjeografia, kimia dhe fizika në klasën e shtatë. I kemi ndarë me kërkesë të opinionit të gjerë dhe më së shumti me kërkesë të kuadrit mësimor dhe për këtë kemi programe të reja mësimore dhe tekste të reja të miratuara që së shpejti do të hyjnë në proces shtypjeje”, tha Janevska.

Ministrja informoi se për herë të parë pas gjashtë vitesh nxënësit në shkollat ​​fillore do të kenë tekste shkollore në të gjitha gjuhët e huaja.

“Për gjashtë vite nuk janë furnizuar tekste shkollore në gjuhën angleze, frënge, gjermane e kështu me radhë. Si Qeveri e re jemi zotuar që vitin e kaluar ta zbatojmë këtë proces dhe do të kemi sukses ta përfundojmë. Më 1 shtator do të ketë tekste të reja për të gjitha gjuhët e huaja në shkollat ​​fillore”, konfirmoi ministrja. Tekste shkollore të reja për disa lëndë do të jenë të disponueshme edhe në gjimnaz dhe në arsimin e mesëm profesional.

Janevska potencoi se ky është viti i dytë shkollor me radhë në të cilin do të ketë dorëzim me kohë të teksteve, gjë që, siç theksoi, nuk ishte praktikë  shtatë vitet e mëparshme.

Advertisement

Sipas ministres, tekstet shkollore janë një nga faktorët kyç për cilësinë e procesit arsimor, përveç mësimdhënësve të motivuar, programeve mësimore dhe infrastrukturës. Ministrja shprehu mirënjohje deri tek të gjithë të përfshirët në procedurat për përpilimin e tyre, prokurimin dhe dorëzimin në kohë. Mesatarisht çdo vit, për prokurimin e teksteve shkollore, Ministria ndan rreth 660 milionë denarë.

The post Janevska: Shkollat ​​të mos shpërndajnë tekste shkollore të dëmtuara, MASH-i do t’i zëvendësojë me të reja para 1 shtatorit appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy