
Koalicionet politike AKI dhe VLEN sot kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të ditës së katër të fushatës për zgjedhjet lokale.
Kandidatët për kryetar të Tetovës sot kanë pasur aktivitete të ndryshme.
Kryetari aktual, i cili garon edhe për një mandat nën ombrellën e VLEN-it, Bilall Kasami ka kryer inspektime në terren në Bllokun 70.
““Në bashkëpunim me qeverinë me një investim prej 15 milionë denarë, arritëm një transferim të plotë të bllokut urban 70, në kuadër të transferimit të infrastrukturës rrugore të qytetit tonë. Po ndërtojmë shumicën e rrugëve në lagjen “Drenovë”, lagjen “Teqe”, lagjen “Potok”, lagjen “Kolltuk”, lagjen “jashtë Vardarit”, lagjen tek Xhamia e rinisë, lagjen “Tetovarja”, lagjen “Cetinska”, bllokun urban përballë Tregut të gjelbër apo siç njihet lagjja “Hajduçka”, në Reçicë te vogël dhe të madhe, Xhepçishtë, Sellcë, Llacë, Shipkovicë, Saraqinë”, tha Kasami.
Ndërsa kundërkandidati i tij vizitoi Reçicën e Madhe, prej ku tha se është turp sepse shtrohen rrugë në fushatë zgjedhore.
“Miq, jemi në Reçicë të Madhe dhe është një turp që po ndodh këtu. Këto rrugë po shtrohen në fushatë zgjedhore, sepse ata e dinë se asnjë denarë në këto rrugë nuk do të bëhen në këtë mandat. Të gjitha këto rrugë do të duhet t’i paguajmë ne. Ne ju premtojmë banorëve të Reçicës se projekti i kanalizimit, në mandatin tonë do të bëhet realitet”, tha Rexhepi.
Ndërsa kandidati i VLEN-it për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, prezantoi projektin e një shkolle të re që do të ndërtohet në Çair. Ai tha se kjo shkollë do të ketë kapacitet për 1300 nxënës e cila do të jetë me një ndërrim. Përveç kësaj Mexhiti bëri të ditur se do të ndërtohet edhe objekti i shkollës “Ardhmëria”.
“Sot para jush po e prezantoj ndërtimin e shkollës së re moderne në “Teneqe mëhallë” apo mëhalla e boshnjakëve. Për shkak se ka formën V të ndërtimit është ideja që të quhet Viktoria. Ky investim do t’u hapë dyert e dijes rreth 1300 nxënësve në një objekt prej 4700 metra katror me 54 klasa, 8 kabinete dhe 2 laborator të pajisur sipas standardeve më të larta”, tha Izet Mexhiti.
Kandidati i AKI-së për kryetar komune në Çair Bujar Osmani njoftoi se një ndër prioritetet kryesore të tij është edhe ai për pastërti në Çair, pasi siç tha, papastërtia po dëmton shëndetin e fëmijëve. Shtoi po ashtu se do të shpall gjendje të jashtëzakonshme ku do të marrin pjesë në pastrim kompanitë, nxënësit e shkollave, bashkësitë fetare dhe qytetarët. Bujar Osmani tha se brenda 60 ditëve do e themelojë ndërmarrjen komunale për higjienë në Çair, ku do të punësohen 120 punonjës.
“Ky do të jetë një ndër prioritetet e mia kryesore dhe kam thënë se projekti për pastërti në Çair do të jetë në dy rrugë, një ndërhyrëse ose intervente dhe nën dy strategjike ose afatgjate. Ditën e parë shpallim gjendje të jashtëzakonshme për papastërti në Çair, formojmë shtabin e krizës. Shtabi i krizës nuk do të jetë i përbërë vetëm prej komunës por të gjithë ata që duan të jenë pjesë e një aksioni masiv të pastrimit të Çairit, përfshirë kompanitë private, shkollat, bashkësitë lokale të qytetarëve”, pohoi Bujar Osmani.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, ndërsa fushata do të zgjasë deri më 17 tetor./Telegrafi/