
Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, ka folur për ndryshimet që pritet të ndodhin në qeveri, pas largimit të Arben Taravarit.
Kasami tha se do të ketë parti dhe deputetë të rinj nga opozita që do të bëhen pjesë e Qeverisë, të cilët siç tha, do të jenë të komuniteteve të ndryshme.
“Koalicioni qeveritar është i hapur për deputetë të rinj nga opozita, më konkretisht jemi në bisedime me disa deputetë dhe parti politike të cilat kanë qenë pjesë e Frontit Europian, të cilët shpejt do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës dhe disa nga pozicionet që i ka pasur VLEN i kemi paraparë t’i plotësojmë me partitë ose deputetët që do t’i bashkëngjiten koalicionit qeverisës. Bëhet fjalë edhe për deputetë shqiptarë edhe të komuniteteve tjera”, tha Kasami.
Në lidhje me këtë temë më herët ka folur edhe Ziadin Sela, i cili është pjesë e Frontit Europian. I pyetur në emisionin “PodGo” në Telegrafi Maqedoni, Sela për kalimin e deputetëve opozitar në Qeveri, tha se janë deklarime që vijnë nga shërbime të UDB-së.
“Kjo është përdorur edhe në qeverisjet e kaluara. Fatkeqësisht janë metoda shërbimesh, pasi ne nuk mund të dalim nga mentaliteti i UDB-së. Kjo temë hapej edhe pas zgjedhjeve të 2020, kur dilnin kryetar të partish dhe thonin se do të merrnin deputetë nga Aleanca. Kjo është paturpësi, këto persona që dalin dhe thonë se do të marrin deputetë, sikur me qenë mall. Para se të bëhet matematikë, duhet të bëhet pyetja se si do t’i marrin: do t’i shantazhojnë, do t’i blejnë”, tha Sela mes tjerash.
Ndërsa edhe kryeministri Hristijan Mickoski është pyetur nëse PDSH-ja e Menduh Thaçit, do të bëhet pjesë e Qeverisë, ai tha se asgjë nuk është përfundimtare dhe se nëse do të ketë zhvillime të reja, opinioni do të njoftohet në kohë./Telegrafi/
The post Kasami: Deputetë të opozitës do të bëhen pjesë e Qeverisë appeared first on Telegrafi.