Komiteti i Helsinkit: Kërkojmë hetim dhe përgjegjësi në kohë për tragjedinë në Tetovë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut shpreh ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave dhe këmbëngul në zbardhje objektive dhe në kohë të tragjedisë së madhe në spitalin modular të Tetovës.

Komiteti, siç theksuan prej atje, kërkon dhe pret nga institucionet kompetente të kryejnë një hetim të plotë, i cili do të përcaktojë shkaqet e zjarrit që mori 14 jetë njerëzish, si dhe të marrë masa për të përcaktuar përgjegjësinë te personat dhe institucionet, veçanërisht në kushtet e masave parandaluese për mbrojtjen dhe respektimin e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë në spitalin në Tetovë.

“Kjo humbje e madhe me të drejtë e rrit mosbesimin e qytetarëve në institucionet e sistemit dhe për këtë arsye është me rëndësi që hetimi të kryhet në mënyrë profesionale dhe transparente. Vetëm në këtë mënyrë autoritetet kompetente mund të minimizojnë hapësirën për spekulime publike dhe dëmin pasues, të cilat mund të rrezikojnë shumë ballafaqimin me pasojat e pandemisë”, theksuan nga Komiteti.

Komiteti vuri në dukje se duke e pasur parasysh që 19 spitale modulare u ndërtuan vitin e kaluar, dhe duke i pasur parasysh informacionet se një hetim special është hapur për këtë prokurim publik, prokuroria duhet sa më parë të dalë me informacione që do t’i sqarojnë dilemat rreth sigurisë së këtyre objekteve. Theksuan se kapacitetet shtesë për hospitalizim të kovid-pacientëve kanë një rëndësi të madhe për funksionimin e sistemit shëndetësor gjatë pandemisë, por ato duhet të lihen në funksion vetëm nëse i plotësojnë standardet e sigurisë.

Advertisement

Komiteti i Helsinkit e mirëpret vendimin për përfshirjen e ekspertëve të huaj në hetim, gjë që do të kontribuojë në besueshmërinë e vetë hetimit dhe rezultateve të tij.

Komiteti vazhdon ta monitorojë punën dhe veprimet e institucioneve kompetente të shtetit, nga të cilat ne kërkojmë nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe paanësisë në zbardhjen e kësaj tragjedie.

Komiteti i Helsinkit: Kërkojmë hetim dhe përgjegjësi në kohë për tragjedinë në Tetovë shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy