Lypësit, nga Prilepi në Dibër

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Edhe këtë verë, rruga kryesore e Dibrës është përplot me lypës. Dominojnë lypësit nga qytetet të tjera të vendit, por për fat të keq, ka lypës edhe vendor. Dukuria në fjalë jo vetëm që prish imazhin e qytetit, por edhe shqetëson qytetarët. Me qëllim që të tejkalohet problemi, Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër në bashkëpunim me policinë, dje realizoi një aksion për evidentimin dhe largimin e lypësve nga Dibra.

Drejtori i QNPS-së në Dibër, Kreshnik Paçuku na informoi se me qëllim që të tejkalohet problemi me lypësit në Dibër, u realizua një aksion i suksesshëm me asistencë të policisë për të evidentuar dhe larguar lypësit nga Dibra. Drejtori i këtij institucioni social na informoi se aksioni është realizuar pa probleme, por ka shtuar se edhe pas aksioneve – lypësit përsëri janë kthyer në qytetin tonë.

“Ne si institucion në kontinuitet ndjekim këtë dukuri negative në sferën sociale, por që lypësit të cilët kryesisht janë nga Prilepi, Velesi, Manastiri… kthehen përsëri në Dibër. Është shqetësues fakti se një pjesë e madhe e lypësve janë minoren, fëmijë të moshave 5-10 vjet. Për këtë problem i kemi informuar edhe institucionet qendrore”, tregon drejtori Paçuku.

Prezenca e numrit të madh e lypësve në Dibër lidhet me zemërgjerësinë e dibranëve, por edhe të komunave rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostush. Në bisedën që patëm me lypësen nga Prilepi, R.P 37-vjeçe, e cila siç tha, katër verat e fundit “viziton” Dibrën, thotë se ka një familje katër anartëshe dhe për shkaqe sociale, merret me këtë “profesion”. “Banorët e kësaj ane janë shumë zemërgjerë dhe nuk hezitojnë të japin para. Jemi shumë të kënaqur nga përfitimi nga lëmosha andaj edhe çdo verë vijmë këtu në Dibër”, thotë ajo dhe shton se dy fëmijët e saj të moshë 7 dhe 9 vjet, po ashtu janë të “angazhuar si lypës” në Dibër.

Advertisement

Tregon gjithashtu se me bashkëshortin, që gjithashtu kërkon lëmoshë në Dibër, takohen në mbrëmje në periferi të qytetit, ku kanë vendosur edhe një shator. Ajo po ashtu rrëfen se nga Prilepi në Dibër aktualisht ka afër 20 lypës, kryesisht gra dhe fëmijë. Prezenca e tyre lidhet po ashtu edhe me ardhjen e mërgimtarëve nga Amerika dhe shtetet e Europës në vendlindje. Por jo gjithmonë, meqë prezenca e lypësve rritet edhe para dhe gjatë festave fetare muslimane siç janë Ramazan Bajrami dhe Kurban Bajrami. Të theksojmë se grupe lypësish mund të takosh këto ditë edhe në fshatrat e Zhupës dhe të Rekës së Poshtme. Për fat të keq, dy vitet e fundit, në rrugët e Dibrës mund të takosh edhe lypës vendor, mes tyre ka edhe fëmijë dhe gra të cilët thonë se për shkaqe varfërie, janë të detyruara të dalin në rrugë. Në institucionet kompetente thonë se ky numër është i vogël, por nëse vërehet numri i tyre nga viti në vit, gjithsesi se ka një rritje.

Lypësit, nga Prilepi në Dibër shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy