Maqedoni, debat nëse e diela duhet të jetë ditë pushimi

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vendimi i qeverisë për të propozuar ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune, në bazë të të cilit parashihet që e diela të jetë ditë jopune, ka nxitur debat mes punëdhënësve dhe sindikatave të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se shpallja e së dielës si ditë jopune ka për qëllim arritjen e barazisë sociale dhe të mbrojë të drejtat e punëtorëve.

Në bazë të propozim-ligjit –ku pritet të përfshihen edhe vërejtjet e punëdhënësve dhe sindikatave dhe më pas të dërgohet në kuvend për miratim – parashihet që gjatë të dielës të punojnë një numër i kufizuar i subjekteve juridike dhe atë vetëm pasi punëdhënësi të dëshmojë se ndërprerja e punës e dëmton procesin e punës.

Organizatat e punëdhënësve kanë reaguar menjëherë pas njoftimit se e diela do të jetë ditë jopune gjatë pandemisë, duke argumentuar se nga pandemia, ekonomia e vendit veç është goditur rëndë dhe vendime të tilla do të nxisin largimin nga puna të punëtorëve në shumë sektorë.

Advertisement

Por, sindikatat e punëtorëve vlerësojnë se këto kërcënime të punëdhënësve janë joreale, pasi sipas tyre, të gjithë sektorët që kanë pasur në plan të largojnë punëtorë, tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

Kryetari i Sindikatës në sektorin e ndërtimtarisë, Ivan Peshevski, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e punëtorëve nuk janë paguar në mënyrë plotësuese, pavarësisht se kanë punuar gjatë ditës së diel. Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak se një pjesë e punëtorëve nuk kanë nënshkruar marrëveshje kolektive.

Peshevski thotë se ekzistojnë disa veprimtari, siç janë ndihma e shpejtë, zjarrfikësit, armata, policia dhe të ngjashme pa të cilat nuk mund të funksionojë shteti dhe të cilët, sipas tij, duhet të punojnë edhe gjatë të dielave. Por, ai thotë se ka edhe biznese në industrinë e rëndë, të cilat nuk mund të ndërpresin punën as gjatë të dielave, siç mund të jenë furrat për shkrirje.

Megjithatë, ai thotë se për tregtinë, ndërtimtarinë dhe disa industri të tjera, e diela duhet të jetë ditë pushimi, ndërkaq, për ata persona që punojnë në sektorë të rëndësishëm, duhet t’u paguhen mëditje më të larta, nëse punojnë gjatë të dielave.

Advertisement

“Një pjesë e madhe e të punësuarve edhe punojnë të dielave, por nuk marrin mëditje pasi nuk e kanë të nënshkruar marrëveshjen kolektive. Atyre u ofrohet një ditë tjetër për pushim. Kjo nuk është në rregull, pasi vlerësojmë se çdo person ka të drejtë të organizojë një ditë pushimi bashkë me familjen”, thotë Peshevski.

Nga sektori i biznesit thonë se ndryshimet në Ligjin për marrëdhënie pune, duhet të jetë në përputhje me vendet e rajonit, të cilat kanë harmonizuar legjislacionin e tyre me Bashkimin Evropian, pra ku e diela është ditë pushimi.

Ata thonë se nëse vendoset që e diela të jetë ditë pushimi, e teksa gjatë kësaj dite në vendet e rajonit punojnë të gjitha qendrat tregtare, kjo do të bëjë që të ketë ulje të të ardhurave, veçanërisht në sektorin e tregtisë, duke shtuar se kjo ulë edhe numrin e turistëve që vizitojnë Maqedoninë e Veriut gjatë fundjavave, gjë që mund të çojë në uljen e të punësuarve.

Kryetari i Konfederatës së bizneseve, Mile Boshkov, shprehet i prerë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut nuk ka kapacitet për ndërprerjen e plotë të punës gjatë ditës së diel.

Advertisement

“Ky propozim (ndryshimi i Ligjit për marrëdhënie e pune), nuk është i përshtatshëm. Thënë ndryshe, ndryshimi i këtij ligji nuk është adekuat në këtë moment për ekonominë, për sektorin e biznesit, por edhe për vetë qytetarët. E them këtë sepse ky ligj do të ketë ndikim të madh në punën e qendrave tregtare, ordinancave stomatologjike, restoranteve, kazinove, të cilat nëse mbyllen të dielën, kjo do të prekë ekonominë e shumë familjeve, përderisa qytetarët do të orientohen në vendet fqinje, e ne do të humbin një pjesë të turistëve ditor”, thotë Boshkov, i cili shton se vetë ky ligj është diskriminues, pasi lejon disa sektorë të punojnë e disa jo.

Në anën tjetër, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thonë se ligji do të imponojë edhe përzgjedhjen e punëtorëve për t’u angazhuar në sektorë të caktuar.

“Për sa i përket propozim-ndryshimit të këtij ligji, ne si Odë Ekonomike vlerësojmë që vendi ynë duhet të reflektojë nga shembujt e suksesshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat janë nisur nga aspekti makroekonomik i vendit, por njëkohësisht janë përfshirë në këto ligje edhe të drejtat e punëtorëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Durim Zeqiri nga kjo odë.

“Vlerësojmë se do të jetë e rëndësishme që të aplikohet një modalitet i përshtatshëm për sektorë të ndryshëm, por edhe për fuqinë punëtore, pasi e tërë kjo do të ndikojë edhe në përzgjedhjen e tyre se në cilin sektorë ata do të angazhohen në marrëdhënie pune. Andaj, duhet t’i kemi edhe preferencat e fuqisë punëtore”, shton Zeqiri.

Advertisement

Ndryshe, në bazë të versionit të parë të propozuar për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune, parashihet që të punojnë pikat e karburantit, një pjesë e objekteve tregtare, sektori i energjisë elektrike, të gjitha llojet e transportit, mediat, spitalet, sektori i telekomunikacionit, zjarrfikësit, shërbimet mortore, shërbimet komunale, muzetë, kopshtet zoologjike, etj.

Maqedoni, debat nëse e diela duhet të jetë ditë pushimi shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy