Maqedoni: Mbi 120 kontrolle, mbyllen disa biznese që punuan ditën e diel

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në mbi 20 ditët që lamë pas, janë dënuar edhe më shumë biznese që nuk respektuar Ligjin që përcakton që të mos punohet ditën e diel. Në mbi 120 kontrolle në terren, inspektorët përskaj paralajmërimeve për objektet që kanë pasur të drejtë punojnë, por nuk kanë informuar kompetentët kanë shqiptuar edhe dënime. Konform Ligjit për marrëdhënie pune, inspektorati mund të realizojë dy lloje të mbikëqyrjes inspektuese. Sipas nenit 258 të Ligjit për marrëdhënie pune shqiptohet paralajmërim apo urdhër. Në rast se nuk respektohet paralajmërimi, atëherë shqiptohet dënimi. Sipas nenit 259 të Ligjit për marrëdhënie pune, shkelësit të ligjit mund të shqiptohet edhe ndalesë për punës nëse dy herë në vit konstatohet se është gjetur punëtor që punon në të zezë.

Njëherësh nëse konstatohet se procesi i punës rrjedh pa u paraqitur përkundër të drejtës që të punohet ditën e diel, atëherë shqiptohet ndalesë pune për dy javë.

Me fillimin e vitit, apo në dy janar janë konstatuar edhe shkeljet e para të ligjit. Në një objekt hotelerik në Shkup, pronari vetëm është paralajmëruar, por nuk është dënuar për shkak se bëhet fjalë për ditën e parë të zbatimit të ligjit të ri. Megjithatë ky person juridik është evidentuar, dhe në rast punon sërish ditën e diel, atëherë do të paguajë gjobën dhe do të mbyllet.

Nga ana tjetër, më shumë biznese në vend, kanë fituar masa inspektuese për shkak të shkeljeve të ndryshme ku punëdhënësi nuk ka pasur të drejtë të punojë të dielën, ndërsa ka pasur edhe raste që punëtori ka punuar në të zezë apo nuk ka qenë i paraqitur. Biznese si furra buke dhe dyqane në Shkup, kanë fituar ndalesën e punës për 15 ditë, për shkak se kanë punuar përkundër ndalesës që filloi të zbatohet nga një janari i këtij viti. Në rast se sërish shkelin ligjin atom und të fitojnë ndalesën edhe për një muaj të punës. Shkelësit e ligjit mund të dënohen me dënime në të holla prej 150 deri 2000 euro. Pritet që në teren të ketë kontrolle të shtuara pas mesit të muajit shkurt kur kompanitë prodhuese por edhe ato tregtare , duhet të paguajnë pagën e muajit janar, ku do të kontrollohet se sa dhe si janë paguar mëditjet më të larta të punës për ditën e diel.

Advertisement

Konform ligjit mëditja për ditën e diel është afër 1100 denarë për pagën minimale, ndërsa për pagën mesatare ajo arrin afër 2200 denarë. Për punë ditën e festive duhet të paguhen dy mëditje e gjysmë.

Njëherësh sipas ligjit 92 për qind e punëtorëve në vend do të pushojnë, ndërsa bizneset që nuk respektojnë ligjin për të dielën si ditë jo pune mund të gjobiten prej 800 deri 10.000 euro për personat fizik apo firmat, ndërsa personi përgjegjës mund të paguajë dënim prej 50 deri 500 euro.

Sindikatat nga ana tjetër shprehen të kënaqura me atë se punëtorët tashmë po gëzojnë përfitimet e kësaj zgjidhje ligjore. Iniciativa e Odës Ekonomike ishte një lloj befasie për ne, por personalisht mendoj se e diela si zgjidhje ligjore do të mbetet ditë jo pune për 92 për qind të punëtorëve, thotë kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski.

Ai shprehet i kënaqur me zbatimin e kësaj zgjidhjeje ligjore, ndërsa për të gjitha parregullsitë e konstatuara thotë se kanë dorëzuar raporte në Inspektoratin e Punës dhe në Inspektoratin e Tregut për të cilat tashmë janë shqiptuar sanksionet e para. Janë konstatuar parregullsi në disa dyqane dhe furra buke, ndërsa sipas sindikatës janë të diskutueshme edhe pikat e basteve sportive, kazinotë dhe objektet hotelerike si kafiteritë ku nuk shërbehet ushqim. “Kudo që kemi ankesa kemi raportuar në Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe në Inspektoratin e Tregut dhe siç e shihni tashmë ka rezultate. Katër punëdhënës që kanë shkelur ligjin tashmë janë dënuar me gjobë dhe janë mbyllur për 15 ditë Gjithashtu, aty ku kemi konsideruar, si rastet e basteve sportive dhe lojërave të fatit që nuk parashikohen në aktivitetet që mund të funksionojnë të dielave, kemi dërguar ankesa në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe në Ministrinë e Financave sepse padyshim për ato aktivitete, dikush me mendim , jo me ligj, u ka lejuar të punojnë. Kjo është e papranueshme për ne sepse mendimi nuk mund të anulojë ligjin. Pra, ligji është i qartë se të gjitha ato aktivitete që nuk janë të parapara për punë të dielën, nuk mund të funksionojnë. Dhe kjo na ndodh me bastet sportive dhe lojërat e fatit“, thotë Dimovski. Ai paralajmëron edhe aktivitetin e radhës ku gjatë muajit shkurt sindikata do të fillojë fushatën e cila do të mbulojë dy aktivitete për çdo muaj në të cilat do të analizohet nëse vërtet respektohet mëditja për punën e të dielës.

Advertisement

Ndryshe pritet që për afër tre javë biznesi të tërheq nismën ligjore dhe mos të kontestojë edhe para gjykatës, respektive të dielën si ditë jo pune. Disa ditë më parë nga Oda ekonomike e Maqedonisë bënë të ditur se kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i odës, Branko Azeski janë pajtuar se më 18 shkurt kjo shoqatë do të tërheq nismën para Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen ligjore të së dielës si ditë jo pune, ndërsa në periudhën e ardhshme do të gjenden zgjidhje gjithëpërfshirëse për sfidat lidhur me zbatimin e këtij ligji./Koha/

Maqedoni: Mbi 120 kontrolle, mbyllen disa biznese që punuan ditën e diel shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy