Maqedoni, shkencat humane më atraktive për studentët

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nëse fokusohemi te regjistrimet universitare shohim qartë se fakultetet e drejtimeve humane-sociale dhe shoqërore janë më të favorizuara nga studentët. Qartazi nga regjistrimet e deri më tanishme në universitetet shtetërore dhe private numri i studentëve në këto drejtime është i bollshëm. Profesorët dhe pedagogët e drejtimeve humane, sociale e shoqërore theksojnë se çdoherë e kanë bërë të mundur që të hedhin dritë mbi këto shkenca që për synim e kanë aspektin e të menduarit e duhur te të rinjtë e veçanërisht në pjesën humane, jetësore dhe zhvillimin e një shoqërie më të shëndoshë përfshirë sfera të ndryshme.

Profesoresha universitare Elizabeta Bajrami-Ollogu për Koha thotë se të rinjtë duhet të kenë orientim të mirëfilltë kur vendosin për të studiuar ndërkaq interesimi i tyre në këto drejtime është si pasojë i mënjanimit të shkencave natyrore. “Kalimi nga arsimi i mesëm në arsimin e lartë karakterizohet dukshëm nga një prirje e të rinjve për të zgjedhur shkencat humane dhe shoqërore më tepër sesa ato ekzakte, natyrore, etj. Të dhënat empirike flasin për një prirje e cila nuk vjen si rezultat i një zgjedhjeje të bazuar në preferencë për formim të mëtejshëm akademiko-profesional në disiplina të tilla, por është rezultat i një zgjedhje tejet pragmatiste sepse janë të vetëdijshëm që në këto drejtime nuk kanë lëndë si matematika apo të lidhura me të. Arsyeja tjetër është e lidhur me faktin se një numër i madh i nxënësve gjatë arsimit të mesëm janë formuar në gjimnaz të përgjithshëm apo drejtime shoqërore, krahasuar me shkollat profesionale”, deklaron Bajrami-Ollogu.

Ajo shton se mungesa e orientimit të të rinjve në karrierë për sa i përket formimin e mëtejshëm profesional dhe akademik, pas përfundimit të shkollimit të mesëm, shumica janë plotësisht të pa orientuar kur zgjedhin se çfarë do të studiojnë dhe ky hendek përkthehet më pas në zgjedhjen e programeve studimore të cilat jo gjithmonë mund t’i përgjigjen kërkesave reale të tregut të punës.

Po ashtu profesoresha Donika Bakiu këtë preferencë të studentëve e shpjegon si përqendrim në kreativitetin e tyre duke u dhënë hapësirë për më tepër në veprimtarinë karrieriste dhe profesionale. “Shkencat Humane dhe Shoqërore mund të jenë shumë të ndryshme, por të gjitha kanë një gjë të përbashkët: ato përqendrohen në jetën njerëzore. E rëndësishme për shoqëritë e ardhshme – këto lëndë na mbajnë të lidhur me botën njerëzore në epokë digjitale, duke sjellë gjykimin njerëzor, kreativitetin dhe mendje kureshtare. Vlera e studimit të disiplinave në shkencat humane dhe shoqërore shpesh debatohet. Ne jetojmë në një botë në ndryshim, por lëndët si filozofia, feja, retorika dhe politika, janë po aq të vjetra sa kolegjet më të vjetra dhe ofrohen ende për arsye të mira”, deklaron Bakiu.

Advertisement

Ndërsa studenti Abedin Ismaili thotë arsyeja pse shumica e bashkëmoshatarëve të tij avancohen në këto drejtime është shkaku që këto shkenca japin mundësinë për më shumë duke mos i kufizuar në veprime si dhe mundësi të tjera multidimensionale. “Orientimi profesional është orientimi më i rëndësishëm në jetë. Duke u bazuar në këtë shumë pak i kushtohet rëndësi kësaj çështjeje në vendin tonë, treguesi më i mirë është fakti që fakultet e shkencave sociale pothuajse në secilin universitet janë të stërngarkuara. Shkencat sociale janë drejtime që nuk krijojnë kufizime në ushtrimin e profesionit, pra ofrojnë qasje multidimensionale. Mirëpo edhe pse vet jam në mesin e shumë studentëve të shkencave sociale sërish mendoj që ky vendim e realitet nuk është i shëndetshëm për neve studentët por edhe për tregun“, shprehet Ismaili.

Arsyeja pse të rinjtë favorizojnë dhe shprehin dëshirën për të studiuar në shkencat humane dhe shoqërore është mundësia për të reflektuar më shumë në mos përkufizimin ne tyre në profesione pas diplomimit që përfshinë shkencat që ofrojnë njohuritë më të përgjithshme për shoqërinë dhe aspektet shoqërore. Drejtimet me më shumë studentë në vend janë të drejtimeve të juridikut, ekonomisë dhe financë, pedagogjisë, filozofikut dhe të shkencave politike. /koha.mk/

Maqedoni, shkencat humane më atraktive për studentët shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy