Maqedoni: Ushqime do të ketë, por me çmime më të larta

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ushqim do të ketë, por për shkak të luftës në Ukrainë, çmimet e prodhimeve ushqimore do të shtrenjtohen. Për më tepër situata ishte e ndërlikuar edhe më parë në furnizimin me ushqim në nivel global si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike dhe pandemisë.

Eksperti i bujqësisë Dragi Dimitrievski thotë se situata aktuale është me siguri shqetësuese, por vlerëson se tek ne nuk do të ketë mungesë ushqimi. “Ajo që na godet dhe ku duhet të kemi kujdes, është çmimi i disa produkteve bujqësore dhe ushqimore të cilat nuk i prodhojmë në sasi të mjaftueshme dhe të cilat importohen, përderisa jemi dëshmitarë se çmimet janë rritur seriozisht. Ne jemi të varur nga importi për disa produkte, por fatkeqësisht këto janë produktet ushqimore bazë, kryesisht gruri (mielli), vaji i gatimit, mishi (pule dhe viçi), qumështi. Mirëpo ajo që është pozitive për ne si vend në këtë krizë, të shkaktuar mbi të gjitha nga konflikti ruso-ukrainas, është se ne nuk jemi të varur nga importet nga këto destinacione. Këto produkte kryesisht i importojmë nga tregun rajonal, para së gjithash nga Serbia, Kroac ia, Bullgaria, Hungaria”, thekson Dimitrievski.

Ai mes tjerash thotë se prodhimtaria bujqësore në vend është në rënie, ndërsa rendimentet janë të ulëta. “Kemi një prodhimtari që për fat të keq, vitet e fundit po zvogëlohet dhe mbi të gjitha po zvogëlohet toka punuese, dhe atë jo vetëm për kulturat që theksova më lart, por po ulet edhe numri i kafshëve. E gjithë kjo është rezultat i më shumë faktorëve, ku spikat shpopullimi, apo largimi i të rinjve nga zonat rurale dhe braktisja e objekteve prodhuese. Sa i përket rendimenteve nuk kemi ndryshime të theksuara dhe ato kryesisht janë të ulëta”, shpjegon profesori universitar i bujqësisë, Dimitrievski. Ai nuk pret probleme në raport me importin e ushqimit.

Vlerësoj se tregu do të funksionojë dhe nuk do të kemi një situatë të tillë që nuk kemi nga të importojmë, edhe pse kjo, natyrisht, do të varet para së gjithash nga vendimet e vendeve nga të cilat ne importojmë. Edhe vendet që kanë një prodhim të madh të këtyre produkteve duhet ta plasojnë atë prodhim në mënyrë që prodhuesit e tyre të mos mbeten pa të ardhura, dhe të mos kenë mundësi të shesin prodhimet e tyre, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për prodhimtari me afat të kufizuar të përdorimit, që duhet të shitet, nënvizon Dimitrievski. Sipas tij, në kohë të tilla të krizës nevojitet që seriozisht të mbështetet dhe promovohet prodhimtaria vendore. Nga Federata e Fermerëve thonë se me vite alarmojnë për problemet e ndryshme të fermerëve në vend.

Advertisement

Kryetarja e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Vaska Mojsovska thotë se një pjesë e madhe e fermerëve po zvogëlojnë sipërfaqet e tyre të tokës bujqësore, për shkak se kanë çmime më të larta të prodhimit karshi atyre të shitjes. “Disa herë si Federatë e kemi theksuar këtë dhe sërish do të theksojmë se duhet të zhvillohen kapacitetet përpunuese që të mund të rritet blerja e produkteve vendore me të cilat duhet të prodhohen përpunimet vendore të perimeve dhe frutave. Ky është një segment me të vërtetë i rëndësishëm që mund të nxisë dhe të ndihmojë zhvillimin e bujqësisë tonë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës bujqësore në aspektin e rrugëve , vaditjes, dhe ballafaqimit me ndryshimet klimatike. Njëherësh nevojitet të respektohet prodhimtaria me kontratë, e cila duhet të funksionojë sipas Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Nëse nuk punohet në këtë çështje, kuptohet se si vend i varur nga importi i produkteve ushqimore, do të kemi shtrenjtime apo çmime edhe më të larta të produkteve ushqimore, sidomos atyre ku konsumi është më i lartë, si buka, qumështi dhe mishi”, thekson Mojsovska. Ajo shton më tej se nevojitet të përforcohen edhe zinxhirët e furnizimit me ushqim nga prodhimtaria vendore.

Përfaqësues të biznesit nga ana tjetër vlerësojnë se prodhimtaria vendore e ushqimit është e pamjaftueshme. Kryetari i Odës Bujqësore pranë Lidhje së Odave Ekonomike, Groan Gjoegjievski shprehet se të dhënat zyrtare të statistikës tregojnë se në vitin 2021 janë importuar produkte ushqimore në vlerë prej 745.4 milionë euro, që është një rritje vjetore prej 12.2 për qind krahasuar me vitin paraprak 2020, ndërsa rritja në pesë muajt e parë të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është 17 për qind. “Më së shumti importohet mish dhe produktet e mishit, pasuar nga perimet dhe frutat, pastaj drithërat dhe përpunimet e drithërave. Kur këto shifra lidhen me faktin se kemi kushte të shkëlqyera natyrore dhe klimatike për zhvillimin e bujqësisë, bëhet e qartë se sektori i bujqësisë nuk merr mbështetjen e duhur nga politikëbërësit për rritje dhe zhvillim. Edhe pse ka disa nisma dhe angazhime pozitive, megjithatë kjo përkrahje shpeshherë nuk është me kohë dhe i mungon vazhdimësia”, thekson Gjorgjievski.

Vendi, shton ai, sigurisht që do të preket nga mungesa globale e ushqimit, por se cili do të jetë dimensioni i tij nuk mund të thuhet saktësisht, sepse kjo varet nga ajo se çfarë masash do të ndërmerren për të reduktuar efektet e padëshiruara. Për shembull, nëse synojmë të kemi prodhimtari bujqësore të organizuar, duhet të miratohen masa të reja mbështetëse për mbjelljet e vjeshtës që duhet të shpallen së shpejti. Njëra këto masa duhet të jetë dhënia e kredisë pa interes për blerjen e repromaterialeve. Gjithashtu po bisedohet në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” për të gjetur së bashku mënyra për t’u përballur me sfidat urgjente si mungesa e ushqimit dhe energjisë, thekson ai.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se përskaj 400 milionë denarë për Fondin Intervenues në prodhimtarinë bujqësore dhe blegtorale me rishikimin e fundit të arkës së shtetit janë siguruar edhe 500 milionë denarë mjete shtesë për masa të ndryshme për të mbështetur mbjelljet e vjeshtës. Me fjalë të tjera, është miratuar Plani nacional për ushqim i cili përmban masa që mbështesin prodhimet strategjike, apo grurin, misrin, lulediellin, mishin. Fondi intervenues ishte 400 milionë denarë dhe i njëjti është rritur për 500 milionë denarë shtesë, ku përveç mbulimit të subvencioneve për këto produkte strategjike, përfshin edhe rritje të subvencioneve në përputhje me rritjen e prodhimit. Po subvencionohet edhe çmimi i naftës për bujqit, po ndihmohet edhe në pjesën e plehrave artificiale, etj. Përskaj masave për rritjen e prodhimtarisë vendore të prodhimeve strategjike, në rrjedhë e sipër janë edhe oferta për ndarjen e tokës bujqësore ku po ndahen me mijëra hektarë për prodhimin e misrit, grurit dhe kulturave të tjera strategjike.

Advertisement

Konsumatorët në Gjermani do të duhet të harxhojnë më shumë në muajt e ardhshëm gjatë blerjes së prodhimeve ushqimore, për shkak se pothuajse të gjithë tregtarët me pakicë po planifikojnë të rrisin përsëri çmimet, njoftoi instituti IFO duke u thirrur në rezultatet e hulumtimit. Indeksi që mat pritshmëritë e çmimeve në sektorin e shitjeve të ushqimit u rrit në qershor në 98.9 nga një maksimum prej 100 pikësh, thekson instituti gjerman. Edhe shumica e të anketuarve në sektorë të tjerë të shitjes me pakicë presin çmime më të larta të ushqimeve./Koha.mk/

Maqedoni: Ushqime do të ketë, por me çmime më të larta shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy