
Investimet në shkencë dhe inovacione, zbatimi i inteligjencës artificiale për qëllime kërkimore-shkencore, si dhe mundësitë për rritjen e mbështetjes evropiane për Maqedoninë, ishin temat për të cilat u diskutua në takimin e sotëm të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, me Komisioneren Evropiane për start-up-e, kërkime dhe inovacione, Ekaterina Zaharieva, dhe drejtoren e Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, Sabine Hentcler.
Takimi u mbajt në kuadër të mbledhjes ministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë, Mal i Zi, dhe ministrat maqedonas theksuan se shteti është i fokusuar në zhvillimin e shkencës dhe inovacioneve, duke krijuar më shumë mundësi për shkencëtarët dhe studiuesit.
Me buxhet të ndjeshëm të shtuar nga shteti për këtë qëllim, këtë vit është inkurajuar realizimi i shumë projekteve shkencore-kërkimore me interes publik, të cilat korrespondojnë me objektivat e Strategjisë Kombëtare për specializim intelegjent . Me mbështetje më të madhe nga Bashkimi Evropian është intensifikuar edhe pjesëmarrja e potencialit shkencor-kërkimor maqedonas në Zonën Evropiane të Kërkimit (ERA), si dhe në Rrjetin Evropian për Bashkëpunim në fushën e kërkimit dhe teknologjisë (COST), dhe Programin Horizont, përmes të cilit janë financuar me 13 milionë euro 81 projekte nga vendi ynë.
Në takim u theksua se Maqedonia ndjek trendet globale lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, ndërsa mjetet e IA po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim edhe në hapësirën kërkimore-shkencore.
Zaharieva dhe Hentcler përshëndetën iniciativën e Qeverisë për themelimin e parkut të parë shkencor-teknologjik nën përgjegjësinë e shtetit dhe theksuan se bashkëpunimi midis Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian po zhvillohet në kahje të mirë.