Mirëpritet vendimi për transportin ndërurban në Tetovë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjatë ditës së martë janë vërejtur një numër i madh i transportuesve nga komunat rurale që kanë sjellë punëtorë në qytet

Prej ditës së martë ka filluar sërish të funksionojë transporti publik ndërurban në Komunën e Tetovës me komunat e Pollogut, i cili me vendim të komisionit për sëmundje infektive u ndalua dy muaj më parë. Gjatë kësaj kohe shumë qytetarë kishin mbetur pa transport nga komunat rurale deri në qytetin e Tetovës. Kërkesat e auto-transportuesve kishin hasur gjithnjë në vesh të shurdhër, të cilët kanë thënë se kanë shumë humbje pasi që nuk kanë punuar, kurse është dashur që të paguajnë punëtorët dhe harxhime tjera për mirëmbajtjen e autobusëve. Vendimi që të ndërpritet ndalesa për transport me automatizëm ka hyrë në fuqi me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme. “Sa i përket ndalesës së transportit të organizuar ndërurban në Komunën e Tetovës dhe komunat përreth, duam të informojmë opinionin se ne si Shtab komunal i krizës vlerësuam se ndalesa e cila u soll me përfundim të shtabit qeveritar të krizës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, dhe tani me përfundim të gjendjes së jashtëzakonshme ky përfundim nuk ka fuqi juridike dhe si rrjedhojë transporti i organizuar ndërurban mund të vazhdojë, me respektim strikt të protokolleve mbrojtëse nga ana e transportuesve” ka deklaruar kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Në ndërkohë auto-transportuesit pohojnë se do të mund të fillojnë me punë, por kjo do të jetë e pamjaftueshme ngase do të bëjnë vetëm transport të udhëtarëve, por jo edhe të nxënësve. “Viti shkollor ka përfunduar dhe tashmë do të duhet vetëm të punojmë me transportin e udhëtarëve, por edhe atë me numër të reduktuar. Kemi marrë masa që udhëtarët të jenë të mbrojtur me dezinfektimin e autobusëve dhe nuk do të lejohet që të kemi udhëtarë pa maska. Shpresojmë që mos ndërpritet transporti se do kemi kolaps total të kompanisë” thonë nga kompania Faba Trade.

Transportin publik e shfrytëzojnë shumë qytetarë, ne mesin e tyre është edhe Bajrami. Deri më tani ai mezi kishte gjetur zgjidhje për të ardhur në tregun e Tetovës për të punuar. Ai thotë se e kishte vështirësi gjatë kësaj kohe kur vinte në qytet sepse mungonte transporti. “Veturë time nuk kam për të udhëtuar, kam udhëtuar me taksi ose me ndonjë transport alternativ. Është dashur çdo herë që të nisem një orë më herët që të arrijë në kohë në punë. Tash besoj do e kem më lehtë” thotë Bajrami.

Advertisement

Me këto probleme janë përballur shumë qytetarë gjatë kësaj periudhë, pasi që nuk kanë patur asnjë lloj transporti. Shumë prej tyre nuk kanë mundur që të vazhdojnë punën për shkak të mungesës së transportit. Nga Komuna e Tetovës thonë se nëse Qeveria merr sërish vendim që të hyjnë në fuqi masat kundër Covid 19, atëherë sërish do të ndërpritet transporti publik. “Ne si Komunë nuk do të bëjmë më kërkesa për heqjen e kësaj mase, sepse qytetarët duhet që të mësohen se ky virus në mesin tonë do të jetë së paku dy vite dhe shëndeti i qytetarëve është primar pavarësisht se sa të vështira do të jenë masat që vendos Komisioni për sëmundje infektive” thonë nga Komuna e Tetovës.

Gjatë ditës së martë janë vërejtur një numër i madh i transportuesve nga komunat rurale që kanë sjellë punëtorë në qytet. (koha.mk)

Mirëpritet vendimi për transportin ndërurban në Tetovë shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy