Ministri i ri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunski, pohon se Qeveria e re do të jetë fuqishëm e përkushtuar në procesin eurointegrues. Ai këtë e tha në vizitën e parë të punës si ministër për punë të jashtme dhe tregti të jashtme në Luksemburg, në Këshillin për punë të jashtme të BE-së. Pasi që mbrëmë në Kuvend kryeministri i ri Hristijan Mickoski, përsëriti se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar, Mucunski u pyet se si do të vazhdojë rruga drejt anëtarësimit në BE dhe nëse Qeveria do të kërkojë ndryshim të kornizës negociuese. Ministri shkurt u përgjigj se është e qartë dëshira për anëtarësim të plotfuqishëm, po vetëm në bazë të kritereve dhe vlerave të Kopenhagës.
“Vlerësojmë se procesi i integrimit europian nuk duhet të ngarkohet me konteste dypalëshe. Në këtë drejtim do të flasim me besim të mirë, duke shfrytëzuar dialog, mjete të diplomacisë që të arrijmë sukses, sukses i cili do të thotë prosperitet të shtetit”, tha Timço Mucunski, ministër për punë të jashtme.
Mucunski në Luksemburg po merr pjesë në takimin e përbashkët edhe me ministrin grek për punë të jashtme, Jorgos Gerapetritis, i cili e shfrytëzoi rastin që të kritikojë pushtetin e ri në vend. Gerapetritis theksoi se aderimi në BE pa respektim të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare është i pamundshëm dhe i papranueshëm. Sipas tij, pushteti i ri në vend po e shkel Marrëveshjen e Prespës me atë që nuk e përdor emrin kushtetues në ngjarje publike.
“Shteti dhe udhëheqja politike në Maqedoninë e Veriut zgjodhi që të mos e përdorë emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut para opinionit vendas. Kjo paraqet shkelje flagrante të Marrëveshjes së Prespës, e cila parasheh që emri i shtetit është një dhe i vetëm, erga omnes, për përdorim të përgjithshëm, që është “Maqedonia e Veriut””, deklaroi Jorgos Gerapetritis, ministër grek për Punë të Jashtme.
Në një prej ngjarjeve të fundit publike, Mucunski tha se Athina dhe Shkupi kanë keqkuptime dhe interpretime të ndryshme në lidhje me të drejtat dhe obligimet nga Marrëveshja e Prespës, por se autoritetet e dy vendeve do të ulen në tavolinë të përbashkët që të tejkalojnë sfidat. Nuk dihet se a do të kenë takim dypalësh Mucunski dhe Gerapetritis në Luksemburg./TV21/
The post Mucunski: Qeveria e re është fuqishëm e përkushtuar për BE-në appeared first on Telegrafi.