
Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot realizoi takim dypalësh me ministrin për Çështje Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne, i cili po qëndron për vizitë pune në Shkup. Takimi vazhdoi me konferencë të përbashkët për shtyp, ku ministrat përcollën porosi të fuqishme të përbashkët në mbështetje të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Ministri Murtezani u shpreh se zgjerimi i Bashkimit Evropian është çështje e përbashkët e sigurisë, stabilitetit dhe vizionit, dhe se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e reformave dhe vendosjes së standardeve evropiane. Në këtë drejtim, ministri nënvizoi se procesi duhet të jetë i bazuar në merita dhe i liruar nga kushtëzimet dypalëshe, për të ruajtur kredibilitetin e integrimit evropian.
“Për ne, integrimi evropian nuk është vetëm qëllim i politikës së jashtme, por transformim i thellë i brendshëm. Qëndrimi ynë mbetet te reformat, rezultatet dhe përkushtimi i qartë ndaj vlerave evropiane”, deklaroi Murtezani.
Nga ana e tij, ministri Byrne e përshëndeti përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe shprehu mbështetje të fuqishme për rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në BE. Gjithashtu theksoi se Irlanda ka përvojë pozitive nga anëtarësimi, e cila ka përforcuar kulturën, gjuhën dhe pozicionin e saj ndërkombëtar.
“Për Irlandën, fakti që jemi ulur në tryezën e BE-së dhe jemi pjesë e vendimeve është e një rëndësi të madhe. Besoj se edhe Maqedonia e Veriut, si dhe të gjithë qytetarët tuaj dhe tanë, po ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian do të përfitojnë nga ky proces”, theksoi Byrne.
Ministri Byrne njoftoi se Irlanda do të kryesojë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në mes të vitit 2026, me theks të veçantë në zgjerimin si një prej prioriteteve të kryesimit të tyre.
Ministrat ranë dakord se është me rëndësi kyçe që qytetarët t’i njohin përfitimet dhe rezultatet konkrete nga procesi evropian, dhe se kjo kërkon angazhim të përbashkët, dialog të hapur dhe kushte të barabarta.
The post Murtezani dhe Byrne: Zgjerimi duhet të mbetet proces kredibil i bazuar në merita appeared first on Telegrafi.