Nga shtatori mësim online në Maqedoninë e Veriut

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të mbahet mësimi online nga shtatori për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, ka nxitur reagime të shumta, në veçanti të nxënësve të shkollave të mesme.

Drejtuesit e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme thonë se fare nuk janë konsultuar për këtë vendim andaj edhe të shtunën do të vendosin për bojkotin e mësimit, por edhe forma tjera të shprehjes së pakënaqësisë, përfshirë edhe protestat. Unioni kërkon mësim të kombinuar, nga distanca dhe me prani fizike të nxënësve në shkolla.

“Kërkojmë mësim të kombinuar, pra edhe me prani fizike të nxënësve në shkollë me protokolle të veçanta. Kjo mund të realizohet nëse krijohen kushte që nxënësit të ndahen në grupe, një javë të shkojë një grup nxënësish në shkollë, ndërsa grupi tjetër të ketë mësim online. Nga hulumtimet dhe anketat që janë bërë, mësimi online nga marsi deri në qershor ishte i dështuar. Nuk jemi të përgatitur si shtet për këtë lloj mësimdhënie dhe nuk do të lejojmë që gabimi të përsëritet”, thuhet në reagimin e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme.

“Ky vendim është marrë me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive. Nuk duam të rrezikojmë me jetën e fëmijëve pasi nga shtatori nuk dihet se çfarë situate epidemiologjike do të ketë. Pritjet janë se mund të ketë valë të re të koronavirusit, andaj shëndeti i fëmijëve është mbi të gjitha. Mësimi mund të kompensohet, por jo edhe jeta e njerëzve”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Advertisement

Por, kjo formë e mësimit gjithashtu nuk është pritur mirë nga Shoqatat e arsimtarëve dhe ekspertët, të cilët kërkojnë nga institucionet që nxënësve t’u mundësohet të shkuarja në shkollë me grupe, orë të shkurtuara, me mbajtje të distancës dhe respektim të masave higjienike. Sipas tyre, mësimi në shkollë nuk mund të zëvendësohet me asnjë formë tjetër të ligjërimit, në veçanti me mësim online, që vlerësohet i dështuar në Maqedoninë e Veriut. Veç kësaj, ekspertët kanë tërhequr vërejtje për pasoja mbi shëndetin mendor të fëmijëve nëse edhe një kohë të gjatë nuk u mundësohet rikthimi në shkolla.

Maqedonia e Veriut ende nuk ka asnjë vendim sa i përket kopshteve, të cilat gjithashtu janë mbyllur që nga muaji mars./REL/

Nga shtatori mësim online në Maqedoninë e Veriut shkruan Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy