
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski potencoi se Maqedonia e Veriut sot po shkruan histori të re në fushën e tranzicionit të gjelbër, me fillimin e ndërtimit të parkut më të madh të energjisë me erë në Shtip, investim prej mbi 500 milionë denarë nga kompania “Alkazar enerxhi”, me të cilën do të sigurohet energjia elektrike për 100 mijë amvisëri, si dhe mbi 600 vende të reja pune.
Nikollovski, në fjalimin e tij në ceremoni tha se projekti është investimi më i madh në burimet e rinovueshme të energjisë dhe do të përforcojë sigurinë energjetike, do të krijojë vende të reja pune dhe do të sjellë energji më të pastër, më të lirë dhe të rinovueshme për gjeneratat e ardhshme.
“Vitin e kaluar kur biseduam me kryeministrin rreth Qeverisë, për angazhimin dhe vizionin e Qeverisë, projektet dhe angazhimin tim personal në Qeveri, kryeministri si një nga prioritetet kryesore e vendosi pikërisht këtë, e ai ishte tranzicioni i gjelbër dhe që Maqedonia të bëhet lider në prodhimin e energjisë së gjelbër në Ballkan. Vizioni i tij personal dhe ajo që ka treguar në të kaluarën, duke marrë parasysh se është autor i parkut të parë të energjisë me erë në Maqedoni, na ka çuar të jemi këtu sot dhe të fillojmë një projekt vërtet të madh. Ky është vetëm fillimi, unë jam i bindur se do të kemi shumë, shumë projekte të tjera të shkëlqyera dhe arsye të shkëlqyera për të qenë këtu dhe për të festuar. Unë jam gjithashtu i bindur se ky mesazh do të jehojë në të mirë tek komuniteti i investitorëve”, tha Nikollovski.
Në këtë ngjarje mbajti fjalim edhe drejtori dhe investitori i kompanisë, Daniel Kalderon, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Me investimin e Alkazarit prej 500 milionë dollarë në sipërfaqe prej 326 hektarë do të ndërtohen 55 mullinjë me erë, të cilat do të prodhojnë një teravatë energji elektrike për 100 mijë amvisëri. Parku i ri me erë, i paralajmëruar si më i madhi në Ballkanin Perëndimor, është hap i rëndësishëm drejt përforcimit të sigurisë energjetike dhe objektivave të energjisë së rinovueshme në vend.
The post Nikollovski: Jemi në rrugë të shkëlqyer për të siguruar pavarësinë energjetike appeared first on Telegrafi.