Nisi aplikimi i dozës së tretë në Maqedoni, më së shumti të interesuar personat mbi 60 vjeç

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në sallën e vogël të qendrës sportive Boris Trajkovski deri në mesditë me dozën e tretë të vaksinës anti-covid janë imunizuar 15 qytetarë. Ndonëse është dita e parë që ka nisur të aplikohet doza e tretë përforcuese, interesimi i qytetarëve është në nivel vlerësojnë mjekët e angazhuar në këtë pikë vaksinimi.

“Ka interesim, gjeneralisht te popullata mbi moshën 60 vjeç që janë vaksinuar në shtete tjera me dy doza, si në Serbi dhe nga stafi shëndetësor, i cili është vaksinuar këtu. Me mbushjen e gjashtë muajve ne tani aplikojmë edhe dozën e tretë Pfizer. Absolutisht nuk kishte asnjë lloj dyshimi, duhet të potencojë që kishte interesim të lartë edhe nga ana e qytetarëve që vinin vetëm për të pyetur, për tu informuar se si, ku dhe kur mund ta pranojnë dozën”, tha Kristian Mlladenovski – mjek.

Në pikat e vaksinimit kishte interesim nga shumë qytetarë për të marrë dozën e tretë, mirëpo sipas rekomandimit të Komitetit të Imunizimit atë mund ta pranojnë vetëm tri kategori qytetarësh.

“Që sot doza e tretë e vaksinës është në dispozicion për të gjithë qytetarët mbi moshën 60 vjeç, për të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe personat që kanë sëmundje kronike pavarësisht moshës”, raporton gazetarja e TV21, Almedina Ismajli.

Advertisement

TV21 i pyeti disa persona mbi moshën 60 vjeç të cilët po vaksinoheshin me dozën e parë ose të dytë nëse janë të gatshëm që ta marrin edhe të tretën pas gjashtë muajsh, ata ishin me mendime të ndara. Për një zonjë dy doza ishin të mjaftueshme ndërsa qytetarët tjerë thanë se do të veprojnë sipas rekomandimeve që japin ekspertët shëndetësorë.

“Nuk dua dozë të tretë, mjaft është kjo”.

“Po si jo do ta marr, të gjitha do t’i marrim me rend, si të na thonë ashtu”.

“Unë jam mbi 60 vjeç dhe nuk e di ende, kjo është diçka e re, tani si do jetë, do e shohim do t’i dëgjojmë ekspertët, e kemi patjetër t’i dëgjojmë ata”.

Advertisement

Doza e tretë e vaksinës jepet vetëm nga prodhuesi “Pfizer”, ndërsa në mënyrë shtesë do të vijojnë rekomandime për përdorimin e mundshëm të vaksinave nga prodhuesit e tjerë.
Që të merrni dozën e tretë të vaksinës anti-covid, duhet të kalojnë gjashtë muaj nga imunizmi me dy doza. Doza e tretë mund të merret në çdo pikë vaksinimi edhe atë pa termin./TV21/

Nisi aplikimi i dozës së tretë në Maqedoni, më së shumti të interesuar personat mbi 60 vjeç shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy