Një javë fushatë – kandidatët për president vijojnë takimet me qytetarët

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në Maqedoninë e Veriut është duke vijuar fushata për zgjedhjet presidenciale e cila ka nisur më 4 prill. Kandidatët për president gjatë ditës së sotme kanë vazhduar me aktivitetet e tyre.

Kandidati për president Stevo Pendarovski  para qytetarëve të Dellçevës ka deklaruar se “nuk do të ketë debat sepse kundërshtarët po mendonin se a duhet të bëjnë konfrontim në përgjithësi”.

Ai përsëriti se ka propozuar organizimin e “master debatit” në të cilin do të marrin pjesë shtatë kandidatët. Kjo ide nuk u realizua dhe Pendarovski tani e sfidoi në duel kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski. Pendarovski shtoi se Maqedonia duhet të vazhdojë në rrugën drejt Evropës dhe botës së zhvilluar dhe të mos lejojë, siç thotë ai, kthimin e regjimit me të cilin vendi u fundos 11 vjet.

“Nga ana ime, në çdo kohë, në çdo fushë, në çdo televizion, ditë e natë, fundjavë, ditë jave, pushim…jam gati të përballem me kundërshtarët, por dua të propozoj që të kemi ballafaqim të vërtetë. Të kemi ballafaqim të vërtetë, jo të rremë. Propozoj të shkojmë në ballafaqim me Hristian Mickoskin, sepse padyshim që ai është kandidat për president. Nuk e shohim zonjën Siljanovska ku është”, tha Stevo Pendarovski.

Advertisement

Kandidatja për presidente Gordana Siljanovska Davkova, në tubimin në Kumanovë, tha se si presidente do të kërkojë unitet. “Mos shko jashtë nëse nuk mund të thirresh në emër të qytetarëve dhe në emër të unitetit parlamentar. Unë këtë do ta kërkoj”, u shpreh Siljanovska. Ajo tha se si deputete në Kuvend shpeshherë ka qenë dëshmitare e keqpërdorimit të flamurit evropian dhe ka akuzuar shefin e shtetit Stevo Pendarovski për bashkë-pjesëmarrje në keqpërdorim të procedurës. Ajo për zyrtarët e qeverisë ka shtuar se ata janë “evropianë të rremë”.

“Nuk ka asgjë të përbashkët me Bashkimin Evropian, është keqpërdorim i Bashkimit Evropian. Presidenti çdoherë bëhej pjesëmarrës në shkelje kur ligjet miratoheshin në procedurë të shkurtuar, në vend të procedurës së rregullt kurse në procedurë të rregullt mund të merrnin pjesë dhe diskutonin edhe palët e prekura, ekspertët, organizatat joqeveritare”, tha Gordana Siljanovska Davkova.

Kandidati për president Stevço Jakimovski ka vizituar rajonin e Tikveshit. Ai u premtoi qytetarëve se si president i shtetit do të forcojë diplomacinë ekonomike me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe tregjeve të reja për plasimin e produkteve bujqësore. “Pas humbjes së tregjeve tradicionale si ai i Rusisë dhe Bjellorusisë, si president i ardhshëm do të punoj në hapjen e tregjeve të reja”, tha Jakimovski.

“Presidenti nuk mund të qëndrojë ekskluzivisht në kompetencat kushtetuese dhe të mos interesohet se si jetojnë fermerët, si jetojnë qytetarët tanë dhe të mos ketë fare reagim kur mbyllet një treg për shkak të forcës madhore kurse lufta në Ukrainë është forcë madhore. Për tregjet e humbura dhe sanksionet e vendosura, Republika e Maqedonisë dhe fermerët nuk marrin asnjë kompensim për këtë”, tha Stevço Jakimovski.

Advertisement

Kandidatja për presidente Biljana Vankovska, sot nga Karposhi i Shkupit, paralajmëroi hartimin e kushtetutës sociale. Sipas saj, Kushtetuta e re duhet të bazohet në parimet e drejtësisë sociale, klasore dhe mundësive të barabarta. Vankovska shtoi se sfida më e madhe në shoqërinë e sotme është shteti social. Duke uruar festën e Bajramit, ajo theksoi se sot, siç thotë ajo, ne bartim në zemrat tona viktimat e gjenocidit në Gaza.

“Në vend që të konfrontohemi se kë do të vendosim në Preambulë, në cilin nen, ku dhe nëse me efekt të vonuar apo nuk e di çfarë, them se më në fund ka ardhur koha për Kushtetutë të re, bashkëkohore, moderne, siç ne do ta formësojmë për veten tonë si komunitet politik, si qytetarë dhe si komunitet që nuk do të ndahet sipas kuotave etnike, me oligarki dhe etnotribalizëm”, tha Biljana Vankovska.

Maksim Dimitrievski sot nga Shtipi tha se do të udhëheqin fushatë pozitive dhe do të punojmë për bashkimin e popullit maqedonas dhe qytetarëve maqedonas në tërësi.

“Qëllimi ynë nuk është t’i ndajmë qytetarët në baza politike, fetare apo çfarëdo tjetër, qëllimi ynë është t’i bashkojmë ata. Maqedonia ka nevojë për bashkim, Maqedonia ka nevojë për president që do të jetë unifikues i maqedonasve dhe të gjitha bashkësive etnike në vend”, tha Dimitrievski.

Advertisement

Dy kandidatët shqiptarë për president Bujar Osmani dhe Arben Taravari, sot nuk kanë pasur aktivitete në kuadër të fushatës presidenciale./Telegrafi/

Një javë fushatë – kandidatët për president vijojnë takimet me qytetarët shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy