Pandemia, tendosje për sistemin financiar në Maqedoninë e Veriut

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar dëme të pashembullta kudo në ekonominë globale dhe ka krijuar tendosje për sistemin financiar në shumë vende. Në Maqedoninë e Veriut, rritja e borxhit publik ka shtruar edhe çështjen e boshllëqeve që vijnë nga mungesa e të ardhurave në vitin e kaluar që kanë rritur borxhin e shtetit , realizimin më të madh të investimeve kapitale, rikuperimit të ekonomisë sivjet dhe në vitin e ardhshëm, dëmeve eventuale nga një valë e re e pandemisë si dhe rritjen e shpenzimeve që pritet të financohen ndër të tjerash edhe me borxhe të reja. Ndërkohë, borxhi publik në Maqedoni ka arritur 7.4 miliardë euro deri në fundin e muajit qershor. Nga partia opozitare OBRM-PDUKM , thonë se vetëm për gjashtë muaj borxhi publik është rritur për afër 904 milion euro, ndërsa mungojnë sipas tyre projektet dhe jetesa m e mirë për qytetarët. “Do t’ju rikujtoj se që kur kjo qeveri është në skenën politike, më shumë se 2.5 miliardë euro është rritur borxhi. Dy miliardë e gjysmë euro, a e dini se çka do të thotë kjo? Kjo nënkupton se çdo qytetar i Maqedonisë ka borxh 1250 euro më shumë pasi kjo qeveri është në krye të shtetit”, thotë kryetari i OBRM-PDUKM, Hristijan Mickovski.

Nga ana tjetër, nga LSDM thonë se janë të përkushtuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët, si dhe investojnë në projekte kapitale që sigurojnë rritje lokale ekonomike dhe zhvillim të barabartë rajonal. “Qeveria punon me përkushtim në stabilizimin e borxhit dhe vendosjen e tij në nivelin në 60 për qind të PBB, sipas kritereve të Mastrihtit. Njëherësh është paguar tërësisht eurobondi i vitit 2014, për të cilin vetëm për kamata paguheshin 20 milion euro në vit. Borxhi shtetëror dhe publik është anuluar për 500 milion euro, me çka është ulur për 4.358 për qind”, thotë Daniela Markovska deputete e LSDM-së. Në ndërkohë të dhënat tregojnë se edhe OBRM-PDUKM në qeverisjen e saj ka rritur borxhin publik kur ballafaqohej me pasojat e krizës botërore të borxheve që u reflektuan edhe në Ballkan, ndërsa borxhi publik u rrit edhe me ndërtimin e projektit “ Shkupi 2014”. Nga ana tjetër, edhe LSDM ka rritur borxhin publik karshi një krize të madhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

LSDM për katër vite të qeverisjes ka rritur borxhin publik për 2.5 miliardë euro me çka ai është rritur në 64.4 për qind të PBB-së, ndërsa OBRM-PDUKM për 11 vite qeverisje ka rritur borxhin në afër 3 miliardë euro. Mirëpo kritikat më të zëshme për borxhin publik vijnë kur partitë janë në opozitë. Kur LSDM erdhi në pushtet në vitin 2017, borxhi publik ishte 4.789 miliardë euro apo 47.7 për qind e PBB-së , ndërsa tani është rritur në 64.4 për qind të PBB-së apo në mbi 7 miliardë euro. OBRM-PDUKM kur erdhi në pushtet në vitin 2006, borxhi publik ishte 33.2 për qind, ndërsa deri në vitin 2016 ai u rrit në 48.8 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Apo borxhi publik u rrit nga 1.818 miliardë euro në vitin 2006 në 4.711 miliardë euro në vitin 2016. Ish guvernatori Petar Goshev thotë se niveli i tanishëm i borxhit është i lartë për vendin tonë, ndërsa shton se pagesa e rregullt e shtetit të kësteve të kredive në emër të borxhit publik nënkupton se ai është i qëndrueshëm. “Një pjesë e borxheve të reja përdoret për të kthyer borxhet e vjetra si dhe mbulimit të shpenzimeve rrjedhëse apo mungesës së parave në buxhet. Pritet që sipas paralajmërimeve që borxhi publik në vend të rritet deri në 65 për qind në vitet e ardhshme pas çka do të nis të zvogëlohet dhe stabilizohet”, thekson Goshev.

Sipas tij, në rast se kemi rritje ekonomike prej më shumë se 4 për qind dhe minus në arkën e shtetit prej 4 për qind, mund të pritet të ulet përqindja e borxhit si pjesë e PBB, përkundër rritjes së mëtejshme të borxhit. Me fjalë tjera, në rast se kemi rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto më të madh se borxhi publik, kjo nënkupton se do të ulet edhe ngarkesa e shtetit. Sipas tij, rritja e borxhit publik imponohet edhe nga ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve të shtetit, megjithatë shton se ka vërejtje për mënyrën se si ekzekutivi ka harxhuar mjetet financiare.

Advertisement

Nga ana tjetër të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se një pjesë e projekteve kapitale për shkak të së cilave po rritet borxhi publik në periudhën 2017-2019, janë edhe ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër me 120 milion euro, pasojnë 76 milion euro për autostradën Miladinovci- Shtip, gazsjellësi me 55 milion euro, 48 milion euro për korridorin 10, 44 milion euro për projektin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, 35 milion euro për projektin e rrugëve, 20 milion euro për hekurudhën Kumanovë –Beljakovce etj.

Akademik Taki Fiti thotë se pandemia e rriti deficitin buxhetor , ndërsa borxhi publik tejkaloi 60 për qind të PBB-së. Megjithatë ai shton se në një situatë të ngjashme janë të gjitha shtetet në botë për shkak të çrregullimit të sistemit financiar nga rritja e harxhimeve e shkaktuar nga pandemia. Sipas tij në periudhën e ardhshme duhet përforcuar politikën financiare me qëllim të rikuperimit të ekonomisë në vitin e ardhshëm, si dhe në masat për menaxhimin e borxhit publik. Njëherësh shton se nevojitet edhe konsolidim fiskal për shkak të uljes së borxhit publik nën 60 për qind dhe minusit në arkën e shtetit nga 4.9 në mbi 2 për qind deri në vitin 2025 që të mos kemi presionin e inflacionit. Sfidë sipas tij do të jetë konsolidimi fiskal me plot rreziqe, që mund të realizohet përmes uljes së harxhimeve joproduktive, rritjes së disa tatimeve, etj. Gjithashtu arka e shtetit mund të mbushet me uljen e evazionit fiskal apo rritjen e tatimeve që tani nuk paguhen, rritjen e caktuar të tatimit personal në të ardhura, vendosjen e tatimeve ekologjike dhe në të ngjashme, mirëpo nuk duhet të preket shkalla e TVSH-së konstaton Fiti.

Në ndërkohë ministri i finançave, Fatmir Besimi, thotë se nevojitet ndër të tjerash edhe konsolidim fiskal i planifikuar, i cili do të ulë deficitin buxhetor dhe borxhin publik nën kriterin e Mastrihtit apo nën 60 për qind të borxhit publik si pjesë e PBB-së, në një periudhë afatmesme.

Ai shpalos edhe planet për konsolidimin gradual fiskal përmes së cilit borxhi publik deri në vitin 2025 do të ulet në 58.8 për qind ose nën kriterin e Mastrihtit. “Kjo do të realizohet nga njëra anë përmes planit dhe masave për konsolidimin gradual fiskal, përkatësisht zvogëlimin gradual të deficitit buxhetor dhe nga ana tjetër përmes përshpejtimit të rritjes ekonomike, apo krijimin e vlerës më të madhe të shtuar nga e cila më lehtë do të servisohet borxhi që maturon. Me kornizën afatmesme, në bazë të së cilës veprojmë dhe në bazë të së cilës është vendosur buxheti për këtë vit, parashikohen masa dhe politika në të dyja drejtimet “, shton Besimi.

Advertisement

Ndryshe, pandemia ka rritur nivelin e borxhit publik në tërë botën. Vetëm në Bashkimin Evropian, borxhi publik si pjesë e PBB-së është rritur nga 77.6 për qind në vitin 2019 në 90.7 për qind në vitin 2020. Në fund të vitit të kaluar, në Greqi borxhi publik ishte dy herë më i madh se Prodhimi i Brendshëm Bruto. Borxh të lartë kanë edhe Italia me 155,8 për qind, Portugalia me 133,6 për qind dhe Spanja me 120 për qind. Nga shtetet e rajonit në Shqipëri, niveli i borxhit publik arriti në nivele rekord prej 77.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2020, norma më e lartë e regjistruar ndonjëherë për financat shqiptare, duke reflektuar pasojat e rënda të krizës. Në Kroaci borxhi ka arritur në 88,7 për qind të PBB-së, pasojnë Austria me 83,9 për qind, Hungaria dhe Sllovenia me nga 80,4 dhe 80,8 posto për qind. Në Gjermani, pjesë marrja e borxhit publik si pjesë e PBB-së ka tejkaluar kufirin prej 60 për qind dhe në vitin 2020 ka arritur në 69.8 për qind, tregojnë të dhënat e Eurostat, apo Zyrës evropiane të statistikave. /koha/

Pandemia, tendosje për sistemin financiar në Maqedoninë e Veriut shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy