Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë dhe ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një shtetasi të Republikës së Shqipërisë 43 vjeçar për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer krimin “Dhënia e ryshfetit” nga neni 358 paragrafi 1 të Kodit Penal dhe gjyqtari i procedurës së mëparshme i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh.
Siç bën të ditur Prokuroria Themelore Publike, i dyshuari më 26 gusht, në vendkalimin kufitar “Bllacë” ka mbërritur si zëvendësshofer në autobusin “Setra” me targa regjistrimi shqiptare, i cili është dashur të kalojë transit përmes vendit.
I dyshuari i ka dhënë një kartëmonedhë prej 50 eurosh një punonjësi policie, shef i turnit kufitar për t’i dhënë ryshfet që të mos kryejë një veprim zyrtar, kontrollin e pasaportës, i cili konsiston në kontrollimin dhe regjistrimin e të gjithë pasagjerëve të transportuar me autobus.
Ngjarja është regjistruar nga kamera e trupit të policit dhe i dyshuari është ndaluar menjëherë.
Propozimi për caktimin e masës së paraburgimit është dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup sepse ekziston rrezik real që i dyshuari të ikë për të shmangur ndjekjen penale.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e pranoi propozimin dhe i caktoi të dyshuarit masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 8 ditësh”, thanë nga PTHP .
The post Paraburgim për shtetasin e Shqipërisë, ofroi ryshfet për Policinë Kufitare të Maqedonisë appeared first on Telegrafi.