
Shtetasit e huaj nuk do të duhet më të vrapojnë në sportelet e Gjykatave që të marrin vërtetime për evidencë penale. Kontrollet do t’i kryejë vet MPB-ja.
Siç njoftuan për “Alsat” nga MPB, me ndryshimet procedurale për vazhdimin e qëndrimit të përkohshëm të të huajve apo marrjen e lejes për qëndrim, inspektorët më nuk do të kërkojnë dëshmi nga aplikuesi, por të njëjtat do të sigurohen nga vet inspektorët.
“Ato më nuk do ta kenë patjetër që këto kritere, të parapara në nenin 72 nga ligji për të huaj, ti sigurojnë përmes gjykatave por inspektorët për të huaj nga njësitë përkatëse pranë MPB-së, këto dëshmi do t’i sigurojnë me detyrë zyrtare përmes kontrolleve interne, që tanimë teknikisht janë të disponueshme dhe të vëna në funksion.
Qëllimi i ndryshimeve nuk është vetëm shkurtimi i kohës së nevojshme për dorëzim, shqyrtim dhe zgjidhje të kërkesave të dorëzuara, por edhe vendosja e një ndërveprimi të institucioneve kompetente”, thonë nga MPB.
Me këtë ndryshim, mundësohet zbatim më i shpejtë dhe më i lehtë i procedurës për rregullimin e qëndrimit për shtetasit e huaj, me çka, shkurtohet dhe koha e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm. Të huajve gjithashtu u është lehtësuar procesi i kërkesës për leje qëndrim edhe për të punësuar që do të angazhohen për projekte strategjike.
Për këtë kategori të të huajve, do të sigurohet leje qëndrim pa marrë mendim nga Agjencia e Punësimit. Procedura për lëshimin e lejeve të qëndrimit të përkohshëm do të përshpejtohet, dhe qëndrimi i punëtorëve të huaj do të zgjatet deri në një vit me një garanci nga punëdhënësi./Alsat/