
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndau mirënjohje kombëtare për arritje të jashtëzakonshme në futboll, basketboll dhe hendboll për 22 sportistë të cilët kanë fituar ligë të kampionëve në Evropë me klubet e tyre vendore dhe ndërkombëtare. Krahas plaketës, sportistët do të përfitojnë edhe pension të përjetshëm në lartësi deri në një pagë e gjysmë të pagës mesatare në vend. Përfituesit të cilët kryeministri u dha epitete të heronjve dhe legjendave, janë Goran Pandev, Darko Pançev, Ilija Najdoski, Pero Antiq, Kirill Llazarovski e të tjerë. Megjithatë, në mesin e fituesve nuk u gjet asnjë sportist shqiptar. Sqarimi i kryeministrit është se pensionet u jepen sportistëve që ekskluzivisht kanë fituar Ligë të Kampioneve ose Euroligë.
“Këta janë sportistë që kanë arritur rezultate kulmore në klubet e tyre, në garat e klubeve, duke garuar në Evropë. Edhe atë ekskluzivisht flasim për Ligën e Kampioneve ose Euroligën në basketboll… Përveç këtyre që i patë sot nuk ka emra të tjerë që kanë fituar ligë të kampionëve ose Euroligë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Mickoski sqaroi se pasqyra etnike e sportistëve përfitues të pensionit dallon kur bëhet fjalë në sportet individuale.
“Në sportet individuale. Rezultate të tilla kulmore kur me përqindje do të merret dhe që janë shpërblyer me këtë lloj të pensionit të përhershëm, 47% janë maqedonas, më shumë se 20% janë shqiptarë dhe të tjerët. Këtu ndoshta do të kritikojnë opozita tjetër, pse pra këtu ka pak maqedonas”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Në ngjarje, krahas kreut të ekzekutivit ishte edhe ministri i Sportit, Borçe Ristovski, ndërsa mungoi zëvendësja Safije Sadiki Shaini.
Sadiki për “Alsat” theksoi që nuk ka mundur të marrë pjesë në ngjarjen pasi ka qenë në spital, ndërsa lidhur me pyetjen që pse nuk ka asnjë shqiptar në mesin e sportistëve të dekoruar, ajo shprehet:
“Në këtë ngjarje që është caktuar sot, do të shpërblehen vetëm ata veteranë të këtyre sporteve basketboll, hendboll dhe futboll, që kanë arritur suksese ndërkombëtare dhe në të ardhmen planifikohen edhe veteranë të sporteve të tjera, ku sigurisht ka plot shqiptarë”, tha Safije Sadiki Shaini, Zv. ministre e Sportit./Alsat/
The post Qeveria e RMV-së dekoroi 22 “kampionë”, asnjë prej tyre nuk është shqiptar appeared first on Telegrafi.