Qeveria e RMV-së shkurton buxhetin për disa projekte shqiptare për vitin 2026

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Buxheti i vitit të ardhshëm nuk ndan qartazi mjetet që do të duhet të ishin ndarë për ndërtimin e Kampusit të Universitetit Nënë Tereza.

Është e paqartë nëse do të gjendet mjetet nga buxheti dhe nëse mund të fillojë ndërtimi, ashtu siç ishte premtuar.
Në buxhet parashikohet qartë ndërtimi i Fakultetit të shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike dhe i Fakultetit për kulturë fizike, por jo edhe investime shtesë në buxhetin e Universitetit Nënë Tereza me të cilat do të fillonte realizimi i asaj që është premtuar.

Qeveria miratoi vendimin për ndërtimin e kampusit Universitar Nënë Tereza më 3 shtator 2024 në vlerë prej 34.5 milion eurove. Në tetor të këtij viti, ish zv.kryeministri Mexhiti tha se Ministria e Transportit kishte miratuar kalimin e tokës në pronësi të Universitetit, me të cilën gjë, sipas tij, praktikisht fillon realizimi i projektit.

Deri tani, UNT-së i janë lëshuar rreth 150 milionë denarë për fazën përgatitore të projektit, por që hynë në buxhetin e vitit 2025-së.
Për më tepër, Universitetit Nënë Tereza madje i është shkurtuar buxheti prej 385 milion sa ka në vitin 2025, në 360 milion denarë për vitin 2026.

Advertisement

Buxheti 2026 – Universiteti “Nënë Tereza”
2025 – 385 875 000 denarë
2026 – 360 885 000 denarë

Buxheti për vitin e ardhshëm prek negativisht edhe Agjencinë për zbatimin e gjuhëve. Ky organ do të ketë të ardhura prej 5 milion denarësh më pak se sa në vitin 2025. Inspektorati për zbatimin e gjuhëve, tashmë si organ në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, edhe pse vazhdimisht ka kërkuar rritje të buxhetit për të shtuar kuadrin, nuk do ta marrë atë as vitin e ardhshëm. Inspektorati madje në vitin e ardhshëm do të ketë 275 mijë denarë më pak.

Buxheti 2026 – Inspektorati për përdorimin e gjuhëve
2025 – 16 886 000 denarë
2026 – 16 611 000 denarë

Inspektorati përballet me numër shumë të ulët të inspektorëve për shkak të mungesës së buxhetit, mungesën e kompjuterëve dhe kushteve teknike, kurse inspektorët përdorin veturat private për punën në terren.

Advertisement

Rritje të dukshme në buxhet ka Universiteti i Tetovës, edhe atë prej 400 milion denarësh./ (Alsat.mk)

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy