Qytetarët e Maqedonisë kanë vlerësuar rrugët e vendit me një notë mjaft të ulët, duke shprehur pakënaqësi të thellë për gjendjen e tyre. Pavarësisht milionave të eurove të mbledhura nga pikat e pagesave, shumë prej tyre pyesin se ku shkojnë këto fonde, të cilat duket se nuk përdoren për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRSH) ka bërë të ditur se vetëm deri në muajin maj të këtij viti, nga tarifat e mbledhura janë grumbulluar mbi 23.6 milionë euro. Kjo shifër shënon një rritje prej 2 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për vitin e kaluar, NPRSH ka regjistruar të hyra rekord prej 62 milionë eurosh, rreth 30 milionë euro më shumë se në vitin 2020.
Edhe pse NPRSH ka deklaruar se të gjitha të hyrat shkojnë drejt rindërtimit, rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve shtetërore, shumë qytetarë dyshojnë në efektivitetin e përdorimit të këtyre mjeteve, duke theksuar se rrugët vazhdojnë të jenë në gjendje të dobët, me gropa që rrezikojnë sigurinë e udhëtarëve dhe shkatërrojnë automjetet.
Shtimi i pikave të reja të pagesave me ndërtimin e autostradave të reja për në Gjevgjeli dhe Shtip nuk ka sjellë përmirësim të prekshëm në cilësinë e rrugëve, duke shtuar më shumë barrë mbi qytetarët që, edhe pse kanë kaluar në pagesë elektronike që nga viti 2019, shumica e tyre vazhdojnë të përdorin pagesa në dorë.
Ndërkohë, NPRSH ka në punësime 505 persona, ku paga mesatare arrin në mbi 46.000 denarë, duke shtuar pyetje rreth menaxhimit financiar dhe prioritetet e shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje publike. Dyshimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve mbeten të larta, ndërsa presin përgjigje më të qarta dhe veprime konkrete për përmirësimin e rrugëve në Maqedoni.
The post Qytetarët e Maqedonisë ankohen për tarifat e lart dhe infrastrukturën e dobët appeared first on Telegrafi.