Rritet numri i të infektuarve me Covid-19 në Maqedoni, ndihma e shpejtë u apelon qytetarëve për mirëkuptim

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Me numrin e shtuar të të infektuarve me Covid-19, javën e fundit në mënyrë të dukshme ka rritje edhe të thirrjeve telefonike në Ndihmën e Shpejtë. Prej atje informojnë se edhe pse qytetarët vazhdimisht po paraqiten, duke kërkuar ndihmë mjekësore dhe këshilla, ata nuk mund t’u përgjigjen të gjitha kërkesave të tyre. Prioritet kanë pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore dhe që janë në rrezik jete.

“Po telefonojnë për të gjitha vështirësitë e tyre, duke menduar se Ndihma e Shpejtë do të vijë, do ta zgjidhë problemin e tyre dhe do t’i hospitalizojë. Së pari duhet të informohet mjeku amë dhe ai do t’u sigurojë vend për kontroll në një nga covid-qendrat. Duhet të përfshihen edhe mjekët amë, sepse Ndihma e Shpejtë nuk mund t’i marrë pacientët dhe t’i çojë në spital pa pasur marrëveshje me mjekët amë. Nëse situata është nën 90, atëherë ne ndërmarrim masa menjëherë dhe tentojmë që me ndihmë të oksigjenit të hyjnë në spital”, tha Vesna Nedellkovska nga Ndihma e Shpejtë.

Sipas Nedellkovskës, puna e Ndihmës së Shpejtë është mbingarkuar me paraqitjen e koronavirusit, ku në bazë ditore kanë mbi 120 intervenime, 60% prej të cilave kanë të bëjnë me Covid.

“Shumica e të infektuarve kanë të bëjnë me Covid, 30 ose 40% nuk janë Covid, sepse ne punojmë edhe me raste të tjera. Vetëm para disa çastesh kishte një aksident, kurse ka edhe njerëz që kanë problem me zemrën dhe presionin”, shtoi Vesna Nedellkovska nga Ndihma e Shpejtë.

Advertisement

Sa i takon situatës në qendrat e kovidit, ngadalë po mbushen shtretërit e lirë, kurse nga ana tjetër shtohet numri i pacientëve të shtruar me koronavirus. Për vetëm 9 ditë nga 682, numri i të shtruarve në covid-qendrat është rritur në 899. Brenda 24 orëve të fundit, në covid-qendrat në Shkup janë hospitalizuar 43 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve nga koronavirusi, kurse në repartet infektive në kryeqytet trajtohen gjithsej 353 pacientë. Pikërisht, gjendja e këtillë alarmante ishte arsyeja që Komisioni për Sëmundje Ngjitëse të kërkojë orë policore./TV21/

Rritet numri i të infektuarve me Covid-19 në Maqedoni, ndihma e shpejtë u apelon qytetarëve për mirëkuptim shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy