
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në intervistë për Televizionin Alsat tha se Arben Taravari nuk duhet pritur krahëhapur në Frontin Europian për shkak të lëvizjeve të tij të dyshimta politike.
Sela tha se e pakta që mund të bëjë Taravari është të japë dorëheqje.
“Falja publike e politikanit është dorëheqja nga pozicioni sepse nëse këtë e bën do ta kuptojmë se ka reflektuar se ka bërë gabim, por nëse këtë nuk e bën atëherë do të kuptojmë se ky nuk ka reflektuar por përkundrazi, ka vesh një lëkurë tjetër në mënyrë që pastaj të na servoj diçka që është jo e mirë për shoqërinë në përgjithësi, për qytetarët e sidomos për shqiptarët”, tha Ziadin Sela.
I pyetur se çka nëse Ahmeti i ofron Taravarit 5 komuna në garën zgjedhore, Sela tha se nuk pranon nënçmim.
“Jo, megjithëse unë e kam bërë të qarta, nuk e di unë, Ali Ahmeti nëse ka Komuna për të shkepur majtas e djathtas është çështje e tij, por assesi nuk do të pranoj përulje, nënçmim dhe shkelje në raport me ndonjë partner brenda për brenda Frontit, e aq më pak në raport me z.Taravarin”, shtoi Sela.
Sela në intervistë pranoi se ka pasur kërkesa nga partitë në pushtet për kontakt komunikimi, duke shtuar se i është përgjigjur një kërkese por tha se përmendja e katër deputetëve është për të krijuar paqartësi në opinion.
“Ka pas goxha kërkesa që unë të vë kontakte komunikimi me këtë ose me atë dhe i jam përgjigj një kërkese dhe i kam thënë qëndrimet ashtu siç i them edhe këtu. Ne nuk japim fjalë në dy vende, ASH-ja që unë udhëheq, njerëzit që ka ASH, deputetët e saj. Ne në dy vende nuk japim fjalë jemi serioz”, theksoi Sela.
Sela renditi kushtet që duhet të plotësojnë partitë që duan një bashkëpunim me ASH-në. Ai tha se të drejtat e shqiptarëve nuk mund të jenë të përkohshme, duke kërkuar zbatimin e badenterit në Gjykatën Kushtetuese, ndryshimet kushtetuese, dhe largimin e 20%
“Nga ana tjetër, nëse dikush është i interesuar për ne, në variantin hipotetik që ju e folët, ne jemi të interesuar pa marrë parasysh a jemi pjesë e Qeverisë apo pjesë e Frontit që të flasim për ndryshimet kushtetuese, zhbllokimin e eurointegrimeve, jemi të interesuar që bashkë me këto ndryshime kushtetuese të flasim edhe për heqjen e 20% dhe vendosjen aty të gjuhës shqipe. Ne duhet të ndërtojmë sistem i cili do ta bëjë të paprekshëm shqiptarin dhe komunitetet tjera pa marrë parasysh se kush do të jetë nesër kryeministër i vendit dhe sa do të na dojë ose nuk do të na dojë ne si komunitete ai kryeministër dhe një nga ato mekanizma është badenteri në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Sela.
The post Sela: Taravari duhet të japë dorëheqje appeared first on Telegrafi.