Studentët në Shkup protestojnë ndaj vonesës së bursave

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Studentët në Shkup protestojnë ndaj vonesës së bursave

Studentët e Universitetit të Shkupit akuzuan Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë së Veriut se i ka lënë në harresë studentët, në kohën kur, siç thanë, “sikur të gjithë qytetarët e tjerë, edhe ne po përballemi me gjendje të rëndë ekonomike”.

Lexo po ashtu
Shaqiri: Është kryer pagesa e bursave për studentët

Advertisement

Studentët të hënën shprehën indinjatën e tyre ndaj dikasterit të arsimit për vonesën e pagesave të bursave, shpenzimeve të udhëtimit, për shujta, por edhe për probleme tjera që kanë të bëjnë me kushtet për studime.

Aleksandar Nikollovski, kryetar i Kuvendit Studentor, tha për Radion Evropa e Lirë se për shkak të neglizhencës së institucioneve shumë studentë po përballen me probleme financiare, andaj edhe ishin të detyruar që të drejtat e tyre t’i kërkojnë në rrugë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, për vitin akademik 2023-2024 janë ndarë rreth 3.000 bursa, prej tyre 1.500 për kategoritë sociale, rreth 800 për studentët e dalluar apo me notë të lartë të mesatare, dhe 500 bursa për drejtimet deficitare.

Advertisement

Nga Unioni Studentor thanë se pagesat nuk janë bërë që nga muaji tetor, pavarësisht premtimeve të shumta që janë dhënë nga Ministria e Arsimit se pagesa do të jetë e rregullt.

“Nga muaji tetor po i presim pagesat. Tash e katër muaj po presim të lëshohen mjetet financiare. Na u premtua se pagesat do të bëhen nga mesi i muajit janar, pastaj na u premtua fundi i janarit, pastaj na u tha se kjo do të ndodhë më 2 shkurt, por kjo akoma nuk po bëhet andaj edhe studentët janë të revoltuar dhe dolën të shprehin pakënaqësinë e tyre”, tha Nikollovski.

Çdo përfitues i bursës, në muaj merr nga 6.000 denarë (100 euro). Studentët nuk paguajnë as transportin publik, që në muaj kushton 1.600 denarë (25 euro). Shujta studentore në bazë ditore arrin 140 denarë (afër 2.3 euro), por për studentët është e pamjaftueshme.

Kreu i Unionit Studentor, Aleksandar Nikollovski, thotë se disa herë e kanë alarmuar Ministrinë se Arsimit, që t’i bëjë pagesat me kohë, pasi shumë studentë varen nga bursat që u ndahen.

Advertisement

“Vonesa e pagesës, sipas Ministrisë së Arsimit, është bërë për shkak të procedurave administrative me Qeverinë teknike, por ne nuk jemi fajtorë që ata nuk kanë mundur të parashikojnë se do të ketë Qeveri teknike. Kjo dihej që para dy muajve”, shtoi Nikollovski.

Pas reagimit të studentëve, Ministria e Arsimit, nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se bursat janë paguar, përveçse për studentët e rinj, që pritet të paguhen gjatë javës.

“Nga muaji janar janë paguar të gjitha bursat shkollore dhe studentore të përfituesve ekzistues për vitin akademik 2023-2024. Për përdoruesit e rinj, megjithatë, pagesa do të bëhet gjatë javës. Të rinjtë duhet të jenë të sigurt, të gjitha fondet që u detyrohen, do të paguhen plotësisht”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Paraprakisht, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka ftuar studentët që të mos merren me “dezinformata dhe thirrje qëllimkëqija”.

Advertisement

“Ju ftoj që përqendrimin dhe energjinë tuaj ta shfrytëzoni për suksese më të larta në provimet, të cilat i keni këtë javë. Ju bëj thirrje të mos bini pre e dezinformatave dhe thirrjeve qëllimkëqija”, ka shkruar Shaqiri.

Ndërkohë, studentët druajnë edhe nga shtrenjtimi i pagesës së studimeve. Aktualisht, çdo student i regjistruar në universitetet publike për një semestër paguan 100 euro, ndërsa ata me vetëfinancim nga 200 euro për semestër.

Së fundi, në Rektoratin e Universitetit të Shkupit është diskutuar për dyfishimin e pagesës për studime, që për shumë studentë është e papranueshme.

“Jeta studentore nuk është e lirë. Gjithçka është e shtrenjtuar. Kemi shpenzime për libra, për fletëparaqitjet e provimeve e nevoja të tjera. Kemi inflacion të lartë dhe dikush të kërkojë të godasë studentët nuk është mirë. Nëse Qeveria paguan me rregull, por nëse kjo bie mbi studentët, atëherë do ta rëndojë edhe më gjendjen e tyre”, thotë Dejan Angelov, student i vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik.

Advertisement

Nga Rektorati i Universitetit të Shkupit kanë thënë se nëse do të ketë rritje të çmimit të studimeve, ato do të mbulohen nga Qeveria, e jo nga studentët./REL/

Studentët në Shkup protestojnë ndaj vonesës së bursave shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy