Rezultatet nga superekspertiza nga këshilli mjekësor gjyqësor në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë nga Shkupi, treguan lëshime në periudhën pas operacionit cezarian te Jilldiz Veaposka, lehona nga Dibra, të cilës pas lindjes i ishin hequr tre organe, mitra, vezorja dhe veshka.
Përgjegjësinë, sipas raportit të prezantuar në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Strugë, e mban mjeku – kirurg i cili e ka realizuar intervenimin, në këtë rasti i dyshuari i parë, gjinekologu Muhamed Asani.
Nga padia e bashkëngjitur, gjegjësisht aktakuza, siç theksoi mjekja në pension, Verica Poposka nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës, tregoi se i akuzuari i dytë, dr. Blerton Asani, ishte specializant gjatë ndërhyrjes kirurgjikale dhe nuk mund të mbante përgjegjësi për ndërhyrjen dhe çdo ndërlikim pas ndërhyrjes. Përgjegjësi për këtë rast nuk theksoi as te i akuzuari i tretë, dr. Liljana Jovanovska, e cila nuk punonte në periudhën pas operacionit.
Në ekspertizë, siç tha mjekja Poposka, ishte bërë e ditur se pas operacionit cezarian, më 27 gusht të vitit 2020 pacientes i ishte përkeqësuar gjendja dhe analizat e bëra të gjakut treguan ulje të vlerave.
“Pas operacionit u bënë lëshime, nuk u morën masa diagnostikuese për të zbuluar shkakun e një gjendjeje të tillë. Nëse do të ishin ndërmarrë procedura diagnostikuese në kohë për të përcaktuar shkakun e gjendjes së kësaj pacienteje, ndërhyrja kirurgjikale duhej të kryhej menjëherë për të ndaluar humbjen e gjakut. Kjo do të kishte shmangur përkeqësimin e madh të gjendjes së pacientes në ditën e katërt pas operacionit, të shprehur në formën e shokut hemorragjik. Pas përcaktimit të gjendjes, pacientja u soll në repart në ditën e katërt dhe gjithçka që u mor ishte për të shpëtuar jetën e saj”, shpjegoi Poposka.
Sipas raportit, pacientes në Spitalin e Strugës në gjendje shoku së pari i ishin hequr mitra dhe vezorja e majtë, ndërsa pastaj edhe veshka e majtë, pas çka ishte dërguar në Qendrën Klinike në Shkup ku ishte konstatuar se ende humb gjak dhe ishte bërë ndërhyrje e re kirurgjike në të cilën i është lidhur arteria renale e majtë.
Sipas kësaj, siç shtoi Poposka, pacientja ende ishte në rrezik dhe po të mos dërgohej në Shkup do të përfundonte në mënyrë fatale.
Tre mjekët të cilët e përgatitën superekspertizën theksuan se në karrierën e tyre të deritanishme nuk janë përballur me rast të tillë.
Në fillim të seancës gjyqësore , prokurorja publike Ermira Musa-Nura propozoi ndryshim në pjesën dispozitive të aktakuzës, pas çka mbrojtja e të akuzuarve kërkoi kohë për të shqyrtuar ndryshimet. Të akuzuarit, nga ana tjetër, deklaruan se nuk e kishin kuptuar aktakuzën e ndryshuar dhe thanë se nuk ishin në punë gjatë periudhës pas operacionit të lehonës.
Gjykimi duhet të vazhdojë të premten me marrjen në pyetje të të akuzuarve dhe fjalëve përfundimtare