Deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska thotë se me miratimin e propozim-zgjidhjes ligjore të LSDM-së për heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, qytetarët do të mund të kursejnë deri në 2000 denarë në muaj, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Me këtë zgjidhje ligjore mbulohen më shumë se 250 kategori produktesh, për të cilat TVSH-ja do të ulet nga 5% në zero për qind. Do të japë një efekt real dhe do të ulë realisht çmimet me pakicë të produkteve ushqimore, gjë që do të ulë edhe vlerën e shportës së konsumit. Pjesëmarrja e ushqimeve dhe pijeve në shportën e konsumit është 23.000 denarë, që do të thotë se efektet e kësaj mase me kursime deri në 2.000 denarë do të ndikojnë në mbrojtjen e standardeve të qytetarëve dhe gjendjen e buxhetit familjar”, thuhet në konferencën e sotme për media në Kuvend, deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.
Ajo përmendi se “Beneficionet do të jenë për qytetarët dhe nuk do të rëndojnë aspak kompanitë”.
“Kjo masë nuk do të mund të luhet nga tregtarët siç ndodhi me masat e Qeverisë. Pas një muaji rezultoi se masa e qeverisë për ngrirjen e marzheve nuk solli asnjë rezultat. Shporta e konsumit është ulur për vetëm 57 denarë krahasuar me muajin e kaluar, në periudhë kur paga mesatare është ulur për 1.000 denarë”, shtoi Trençevska./Telegrafi/
The post Trençevska: Me propozimin e LSDM-së për heqjen e TVSH-së, do të lirohen mbi 250 kategori të produkteve ushqimore appeared first on Telegrafi.