Tupançeski: Do të propozohen ndryshime të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve që të parandalohet “turizmi në burgje”

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministria e Drejtësisë do të propozojë që në të ardhmen vuajtja e dënimit me burg e personave të dënuar të ketë lidhje me vendin e tyre të banimit gjatë dy viteve të fundit, tha ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski në lidhje me veprimet e ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov dhe biznesmenit Orce Kamçev, të cilët i ndryshuan adresat e banimit në Ohër dhe me këtë krijuan bazë ligjore për vuajtjen e dënimit me burg në burgun e Strugës.

“Doli që Struga është qyteti i turizmit në burg. Bëhet fjalë për burg të llojit të hapur dhe kuptohet se edhe sa i përket sigurisë dhe kushteve për vuajtjen e dënimit janë më të privilegjuara ose më të mira në krahasim me institucionet e tjera korrigjuese ndëshkuese në shtetin tonë”, deklaroi Tupançeski në intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai theksoi se me zgjidhjen e tanishme ligjore ekziston mundësi juridike për veprime të këtilla, dhe për këtë mendohet që me ndryshimet e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve të propozohet “ekzekutimi i dënimit të ketë lidhje me dy vitet e fundit të vendbanimit para ekzekutimit të veprës penale”.

“Në këtë mënyrë ne do ta shmangnim këtë situatë absurde ose situatë e cila ndoshta pak i ngjan keqpërdorimit ose daljes nga korniza ligjore”, vlerësoi Tupançeski.

Advertisement

Në lidhje me institutin “pranimi i fajësisë”, përmes të cilit edhe Kamçevit edhe Mijallkovit u ishte ulur dënimi me burg, Tupançeski tha se ky mekanizëm është në përputhje me sistemin tonë juridik, por se duhet të kemi kujdes në keqpërdorimin eventual të kësaj mase.

“Në parim nuk komentoj vendime konkrete, por mund të flas për situatat. Marrëveshja për pranimin e fajësisë përfaqëson element apo segment të ligjit precedent që pasqyrohet në sistemin tonë juridik, veçanërisht në Ligjin e Procedurës Penale. Ideja ishte e mirë, në kuptimin që në kushte të caktuara, të cilat janë rreptësishtë të përcaktuara, për hir të kursimit të procedurës, të shfrytëzohet ai institut”, shtoi Tupançeski.

Sipas tij, çështje për të cilën ndoshta duhet të diskutohet është se a ka keqpërdorim të atij mekanizmi për pranimin e fajësisë.

“Gjithmonë potencoj se dënimi duhet të jetë i individualizuar dhe të jetë në përpjesëtim me të keqen që është bërë më parë, cilësinë e gabimit dhe atë që quhet inkriminim. Pa një proporcion të tillë nuk e kemi arritur qëllimin”, tha Tupançeski në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Advertisement

Tupançeski: Do të propozohen ndryshime të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve që të parandalohet “turizmi në burgje” shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2022 Struga.info | Privacy policy