
Liderët e VLEN-it sot në konferencë për shtyp, thanë se ata janë fituesit politik të zgjedhjeve dhe se janë forca e dytë politike në vend. Në njoftimin të cilin e lexoi Bashkim Bakiu, ata kërkuan që AKI të deklarohet dhe të pranojë humbjen.
“VLEN konsideron se zgjedhjet ishin të drejta dhe demokratike. Kjo është meritë e KSHZ-së, por edhe organeve të rendit, si dhe përbërjes qeveritare. Kjo flet edhe për pjekurinë demokratike të qytetarëve. Sa i takon rezultatit, VLEN është fitues që në raundin e parë në 5 komuna, shkon në ruandin e dytë në 6 komuna. Kemi fituar bindshëm në Çair, Saraj, Zhelinë, Haraçinë dhe në Tearcë”.
“Ndërsa në balotazh si fitues në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Dollnen dhe në Bërvenicë do të jemi në garë si të dytët. Në Gostivar dhe Vrapçisht nuk është arritur censusi i nevojshëm, ndërsa për epilogun në këto komuna do të deklarohet KSHZ. Sa i takon komunës së Çashkës, ne nuk kemi garuar në mënyrë që të mos rrezikojmë fitoren e kandidatit shqiptar”.
“Në bazë të numrit të komunave të fituara dhe komunave që shkojnë në raundin e dytë, ne jemi fitues politik i këtyre zgjedhjeve dhe jemi subjekti i dytë politik në RMV”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.