Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot priti në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Reka.
Siç thuhet në njoftimin nga kabineti i Xhaferit, në takim biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, të cilat karakterizohen me miqësi të sinqertë dhe mirëkuptim të ndërsjellë pa çështje të hapura.
“Kryeministri Xhaferi falënderoi ambasadorin Reka për kontributin e tij të sinqertë në avancimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve fqinje, veçanërisht në fushën e ekonomisë, rritjen e shkëmbimit tregtar dhe realizimin e projekteve infrastrukturore që i lidhin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
“Të dy bashkëbiseduesit theksuan se të dy vendet, si aleatë në NATO dhe vende që synim të përbashkët kanë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndajnë të njëjtat vlera dhe kontribuojnë në avancimin e bashkëpunimit rajonal, që është garanci për një rajon të sigurt dhe stabil”.
“Kryeministri Xhaferi, në shenjë falënderimi, i dha ambasadorit Reka mirënjohje për përkushtimin dhe kontributin e tij profesional në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe i uroi shëndet të mirë dhe suksese të mëtejshme personale dhe në karrierë kudo që ta çojë rrugëtimi i tij profesional”, thuhet në njoftim./Telegrafi/
The post Xhaferi në takim lamtumirës me Rekan: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë synim të përbashkët – anëtarësim në BE appeared first on Telegrafi.