FOTOT: Misteret e Karaburunit, udhëtim në gadishullin e mbushur me sekrete

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prej vitesh, ky rrip i vogël toke ka qenë thuajse një vend i ndaluar, por së fundmi edhe pse shumë njerëz e shkelin thuajse çdo vit, Gadishulli i Karaburunit, mbetet një prej destinacioneve jo thjesht të bukura, por edhe më misterioze të bregdetit të rivierës shqiptare.

Ndaj Bordo do të udhëtojë përgjatë bregut, për të rrëfyer emocionet që shkakton një vend kaq i bukur. Karaburuni ka qënë një zonë e ndaluar për shumë kohë për shkak se shtrihej në një perimetër të sigurisë së lartë ushtarake, por prej disa vitesh kanë nisur turet ditore, ku më të thjeshtat për t’u realizuar janë ato përmes detit, pasi rruga automobilistike shpesh është e ndaluar për t’u përshkuar.

Udhëtimi më i mirë, mund të niset nga Vlora, duke marrë një anije e cila të çon në destinacion, kundrejt një pagesë, e cila ja vlen, sepse do të keni mundësi të shijoni një pamje unike të perlës së bregdetit jonian.

Mendohet se emri “Karaburun” vjen nga turqishtja që do të thotë “pelerinë e zezë”, ndërsa gjendet në shkrimet e vjetra me emrin klasik, si Gadishulli Akrokeraunian. Pjesa përëndimore e gadishullit përbëhet nga një reliev i butë dhe i mbushur me plazhe me rërë dhe shkëmbore, shpella detare dhe shkëmbinj të thepisur.

Advertisement

E sipër, toka shkëmbore është e populluar me bimësi të ndryshme agrumesh dhe ullishtash që duket si njerëz me kurriz të kërrusur që nisin e marrin rrugën përpjetë malit. Pastaj, aty befas shfaqen lëndina të vogla, apo të mëdha, si pllaja e Ravenës, që zbresin tatëpjetë deri pranë ujërave të kaltër.

Bregu në fakt ka qenë gjithmonë synimi i vizitorëve dhe turistëve, sepse gjithmonë aty gjendet ndonjë gji i vogël, pa vëmendjen e tepruar të vendasve apo vizitorëve, ku mund të pushosh me familjen, qoftë nën hijen e ndonjë shkëmbi, apo të bësh një piknik në rrezet e diellit.

Aty pranë mund të vizitoni plazhin e vogël të Dafinës apo bregun e Bitrit, gjiri i Skalomës, Arushës apo i famshmi dhe i bukuri prej të gjithëve, Gjiri i Gramës.

Gadishulli i Karaburunit vazhdon të jetë një nga destinacionet më të kërkuara të bregdetit shqiptar, për faktin se është thuajse tërësisht i paprekur, me një peizazh mbresëlënës të rrethuar tërësisht nga uji, ndërsa po kaq interesant është fakti se natyra e egër është një rezervat natyror që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, sidomos ata të huaj, që duan të njohin gjithnjë e më shumë zonën.

Advertisement

Thuajse në të gjithë këtë zonë mund të gjesh mundësi akomodimi për të shijuar panoramën, nëse vendosni të qëndroni, qoftë në hotelet, shumë prej të cilave moderne, apo banesat e banorëve vendas të cilët i kanë kthyer në mjedise akomoduese shtëpitë e tyre sidomos gjatë periudhës së verës.

Kuzhina bazike është ajo me produktet e detit, të gjitha vijnë direkt nga ujërat e Jonit, të shërbyera në gjithfarë mënyrash në tryezë, qofshin ato receta vendase, por edhe të menuve më të njohura ndërkombëtare. Kjo ka qenë edhe arsyeja që kjo zonë vijon të jetë një atraksion i pandalshëm për turistët, sepse aty asnjëherë nuk ngopesh me atë që sheh dhe shijon.

Turizmi kulturor 

Në skajin veriperëndimor të gadishullit, në kepin e Gjuhëzës, ndodhet shpella e Haxhi Alisë, një emër i njohur në historinë e piraterisë detare. Ky objekt natyror, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Brenda shpellës fle një liqen modest rrethuar nga parete shkëmbore të dekoruara nga stalaktitet. Aty gjendet edhe shpella e Gramës, brenda të cilës janë zbuluar mbishkrime të shumta, që përkojnë me periudha të ndryshme të historisë.

Advertisement

Gjiri i vogël i Gramës, që ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit, është një nga surprizat më të veçanta të gadishullit, në pikëpamjen historike. Sipas historianëve, ky vend ka shërbyer që në lashtësi si vendpushimi për anijet. Në muret e shumta të gjirit, konstatohen fare lehtë shumë shkrime të gdhendura nga marinarët, ku shprehet mirënjohja ndaj Poseidonit.

Shkrimet e para i përkasin shekullit IV para Krishtit. Në shkrimet latine, që përkojnë me shekullin I pas Krishtit, gjenden emrat e Mark Antonit e të Pompeut, si dhe vizatime të ndryshme, mes të cilave anije, kryqe, spiranca, mburoja etj.

Në gadishull mund të shkohet në dy mënyra. Rruga detare është ajo më e shkurtra, por destinacioni arrihet edhe nga toka. Udhëtimi tokësor fillon nga Orikumi dhe përshkon mespërmes bazën e Pashalimanit. Por sigurisht kjo është mënyra më pak e preferuar, edhe pasi mund të ndodhë që baza ushtarake të jetë e bllokuar. Nga gjiri i Vlorës duhen vetëm pak minuta me skaf ose anije për të mbërritur në gadishullin e mistereve dhe natyrës së egër.

Gjatë muajve të verës Kepi i Gjuhëzës popullohet nga pushuesit që kërkojnë aventura në ujëra dhe brigje të virgjëra. Është thuajse ideale të kridhesh në ujëra të freskët ngjyrë smeraldi apo të marrësh ngjyrë, shtrirë mbi rënën e imët dhe të bardhë. Gjiri i Brisanit është gjithashtu një vend që ja vlen të vizitohet. Të apasionuarit pas sporteve të ujit mund të argëtohen në të gjitha format, apo mund të bëni edhe ngjitje përgjatë shkëmbinjve dhe zonës së thepisur që karakterizon këtë zonë.(Revista Bordo)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy