ESIDO BARKAJ
GAZETAR-VIZION PLUS
4 mijë objektet pjesë e trashëgimisë kulturore janë gjetur nga policia, ku dyshohet se janë të vjedhura. Objektet janë gjetur në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik.
Advertisement
Në pranga ka rënë pronari i kësaj banese Artan Koçiu, i cili rezulton i arrestuar edhe në vitin 2013 po për trafik të ikonave.
Siç duket edhe nga pamjet, banesa e tij është e tejmbushur me objekte të rëndësisë së veçantë.
Veprat janë të karakterit fetar, por edhe kulturor dhe sipas policisë një pjesë janë blerë në tregun e zi dhe të tjerat janë vjedhur në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoninë e Veriut.
Hetimet kanë zgjatur disa javë e më pas është dokumentuar vjedhja e objekteve.
Koçiu do të përballet me veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, si dhe trafikimi i tyre.
Ndërkohë ekspertët e ministrisë së Kulturës kanë nisur ekzaminimin e objekteve të sekuestruara si dhe inventarizimin e tyre.
61-vjeçari Artan Koçiu në vitin 2013 u arrestua së bashku me Gjergji Thimon, të dy të akuzuar për vjedhjen e ikonave.