
Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e kësaj së enjte në aksin rrugor Levan-Tepelenë.
Dy automjete, njëra tip “Opel zafira” dhe tjetra “Ford” janë përplasur me njëra-tjetrën, në afërsi të fshatit Buzëmadh. Si pasojë e përplasjes së fortë ka humbur jetën punonjësi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Sokrat Lela dhe vjehrra e tij Bylyre Salaj 78 vjeç. Ndërsa mësohet se në po të njëjtin mjet ishte dhe bashkëshortja e Sokrat Lelës, Fatbardha Lela e cila ka mbetur e plagosur.
Në makinën tjetër kanë qenë anëtarët e familjes Skënderaj, dy bashkëshortët dhe vajza e tyre 6-vjeçare, të cilët kanë mbetur po ashtu të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Automjeti tip “Opel zafira” drejtohej nga 43 vjeçari Gerti Skenderaj, që siç shihet dhe nga pamjet është shkatërruar plotësisht, ndërsa “Fordi” ka përfunduar në kanal.
Mendohet se shkak i aksidentit të jetë bërë moti i keq dhe lagështira në rrugë.