ANALIZA: Çfarë kërkon Rusia në Ballkan?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Çfarë kërkon Rusia në Ballkan?

Nga Zlatko Hadzidedic, Modern Diplomacy

Narrativat popullore mbi interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan, kanalizohen në 2 dy drejtime mjaft të ndryshme. Një prej tyre, e trashëguar nga mendimi strategjik i shekullit XIX, thotë se Rusia, si një perandori pa dalje në det, duhet që të zgjerohet në Ballkan, në mënyrë që të ketë qasje në Detin Mesdhe.

Sipas kësaj narrative, Ballkani trajtohet si një hapësirë ​​boshe, pavarësisht nga identiteti etno-fetar i popullatës atje. Narrativa e dytë, që mund të gjurmohet që nga koha e pan-sllavizmit romantik të shekullit XIX-të, por që është popullarizuar në formën e tij aktuale pas botimit të teorisë së Samuel Huntington mbi “përplasjen e civilizimeve”, thotë se Rusia e koncepton ndikimin e saj në Ballkan, përmes kultivimit të marrëdhënieve vëllazërore me të krishterët ortodoksë të rajonit, duke përdorur identitetin e përbashkët fetar për të mbrojtur ambiciet e veta gjeopolitike.

Gjithsesi, faktet në terren nuk mbështesin asnjërën nga këto narrativa. Ndikimi i Rusisë në rajon, nga fillimi i shekullit XIX-të deri në ditët e sotme, nuk mund të konkurronte kurrë me ndikimin e boshtit anglo-francez, të ushtruar përmes kanaleve të nacionalizmave serbe dhe greke, të ndërtuara në mbi themelet anti-osmane/anti-islamike dhe anti-Habsburgase/anti-katolike, në përputhje me interesat strategjikë të dy fuqive të Evropës Perëndimore për të shkatërruar perandoritë në rënie, dhe për t’i shndërruar ato në një numër shtetesh-kombe të dobëta.

Advertisement

Edhe pse këto lëvizje nacionaliste e përdorën Krishterimin Ortodoks, dhe motivin folklorik popullor të vëllazërisë me Rusinë Ortodokse, si mjete efektive për mobilizimin e popullatave të synuara mbi baza anti-islamike dhe anti-katolike, elitat e tyre mbeten gjithmonë të shkëputura nga Rusia,duke u orientuar vazhdimisht drejt klientëve të tyre të vërtetë në Londër dhe Paris.

Motivi rus në mobilizimin e nacionalizmit serb në vitet 1990, ishte sigurisht mjaft i përshtatshëm për Londrën dhe Parisin, pasi ato e kishin fshehur mbështetjen e tyre të vazhdueshme për pushtimin ushtarak serb të Bosnjës dhe Kroacisë, e cila prodhoi një fushatë gjigante të spastrimit etnik të jo-serbëve në zonat e pushtuara, me më shumë se 100.000 të vdekur dhe mbi 1 milion të dëbuar.

Një arsye tjetër, pse fushata serbe e gjenocidit dhe spastrimit etnik u mbështet nga Londra dhe Parisi,ishte promovimi global i teorisë së Hungtington mbi “përplasjen e civilizimeve” si “modeli tjetër i konfliktit”. Sipas këtij modeli, blloqet e ardhshme gjeopolitike do të formoheshin në bazë të identiteteve fetare, duke vepruar si “civilizime” në konflikte që nuk marrin fund asnjëherë.

Sidoqoftë, në kundërshtim me parimet e shumëllojshmërisë etnike të aplikuara në territorin e vet dhe në zonën më të gjerë të ish-Bashkimit Sovjetik, qëndrimi i Rusisë në Ballkan ka treguar mbështetje të hapur për programin e Serbisë së Madhe për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet të vetëm, etnikisht homogjen.

Advertisement

Politika e jashtme ruse e mbështetjes së hapur ndaj përpjekjeve serbe për të aneksuar provincën renegate të Bosnjës e populluar shumica nga serbët është më së paku vetë-kontradiktore. Ajo është gjithashtu vetë-shkatërruese, nëse merret seriozisht dhe zbatohet tek vetë Rusia dhe vendet fqinje që kanë një pakicë etnike ruse.

A mund ta imagjinojë dikush Rusinë e sotme në një përpjekje të përhershme për të aneksuar pjesë nga të gjitha republikat post-sovjetike të populluara me rusë, në mënyrë që t’i bashkojë ato në Rusinë e Madhe? Apo që Moska të përpiqet të pastrojë etnikisht territorin e saj, në mënyrë që të dëbojë apo shfarosë mbi 190 bashkësi etnike, në emër të një shtet-kombi rus etnikisht homogjen?

Sigurisht që jo. Megjithatë është pikërisht ajo që po mbështet Rusia në sjelljen e Serbisë ndaj fqinjëve të saj. Prandaj, duhet pyetur me të drejtë:çfarë kërkon Rusia në Ballkan?Në radhë të parë, pavarësisht mbështetjes së saj publike për të,është shumë e diskutueshme se sa ndikim ka Moska në Beograd.

Që nga ekzistenca e saj Serbia, nga një principatë gjysmë-autonome brenda territorit osman në vitet 1830 deri në krijimin e Mbretërisë së Serbisë në vitin 1882, deri tek zgjerimin e saj në territore të tjera në formën e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (më vonë, Mbretëria e Jugosllavisë) në Konferencën e Versajës në vitin 1919, ka pasur gjithnjë një mbështetje të qartë nga Londra dhe Parisi.

Advertisement

Shpërbërja e Jugosllavisë komuniste, të cilën Serbia e përdori si një mundësi të përshtatshme për të zbatuar programin e Serbisë së Madhe, u mbështet gjithashtu qartë nga Londra dhe Parisi, pa asnjë pjesëmarrje të Moskës. Në këto kushte, është e vështirë të imagjinohet një zhvendosje strategjike nga ndikimi shekullor anglo-francez tek ai i Rusisë.

Është gjithashtu e vështirë që të identifikohen interesat strategjike ruse në Ballkan, duke pasur parasysh faktin që politika e jashtme e Rusisë nuk ishte krijuar për të ushtruar kontroll në zonat jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik. Gjithsesi, nëse Rusia nuk ka një ndikim real në Serbi, atëherë mbështetja aktuale ruse për politikën e vazhdueshme armiqësore të Serbisë ndaj fqinjëve të saj, mund të jetë një simulim i ndikimit.

Por për çfarë qëllimi? Nëse rajoni i Ballkanit, është i një rëndësie strategjike për SHBA-në, jo vetëm si një lidhje midis Perëndimit dhe Lindjes së Mesme, por edhe për sa i përket burimeve të tij natyrore (për shembull Kosova), atëherë ndikimi i simuluar rus në Ballkan mund të shërbejë si një levë kundër ndikimit amerikan në zonat me rëndësi vërtet strategjike për Rusinë.

Nga ana tjetër jo shumë analistë, diplomatë apo politikanë janë të vetëdijshëm mbi aleancën e heshtur strategjike midis Rusisë dhe Turqisë, e cila e ka ngritur Turqinë në statusin e një fuqie të madhe. Kjo aleancë tashmë është testuar në Libi, Siri dhe Nagorno-Karabak.

Advertisement

A ka mundësi që Rusia dhe Turqia të luajnë një lojë të ngjashme në Ballkan? A ka ndonjë mundësi që Rusia dhe Turqia të krijojnë një iluzion midis elitave nacionaliste serbe, se Rusia do të mbështeste padyshim përpjekjet e tyre për t’i dhënë pjesë të Bosnjës dhe Kosovës, dhe në të njëjtën kohë t’i lërë Turqisë dorë të lirë për ta shtrirë mbështetjen e saj ushtarake në përpjekjet e Bosnjës dhe Kosovës, për ta parandaluar Serbinë të vërë në dyshim sovranitetin e tyre? /Përktheu: Alket Goce-abc

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy