ANALIZA: Pandëshkueshmëria e policisë kthehet në dhimbje koke për konservatorët grekë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Pandëshkueshmëria e policisë kthehet në dhimbje koke për konservatorët grekë

Qeveria e Greqisë ka premtuar rend dhe rregull. Kritikët thonë se është policia ajo që tani ka dalë jashtë kontrollit.

Nga Apostolis Fotiadis

Regjisori grek i filmit Dimitri Indares po përpiqet ende të lërë pas krahëve ngjarjet e dhjetorit 2019, kur ai e gjeti veten të prangosur dhe me kapuç në kohë në agim në tarracën e shtëpisë së tij në Athinë.

I arrestuar pas një mësymje të ashpër të policisë ndaj banorëve anarkistë në ndërtesën fqinje, 57-vjeçari Indares dhe dy djemtë e tij po presin gjyqin, të akuzuar për asistim të këtyre banorëve kur, sipas Indares, ata thjesht kishin refuzuar të linin policinë të hynte në shtëpinë e tyre për të pasur më pas qasje në ndërtesë.

Advertisement

“Lagja ishte kthyer në një zonë lufte dhe unë nuk doja që shtëpia ime të bëhej pjesë e kësaj lufte”, tha ai për BIRN.

Ndërsa prokurorët po vazhdojnë me çështjen kundër tij, për kritikët e policisë, arrestimi i Indares – dhe videoja që u shfaq më pas – siguroi prova edhe më të rënda të shkallës së taktikave të ashpra të policisë në Greqi, ngjarje që doli përsëri në titujt kryesorë të lajmeve këtë muaj kur një oficer policie u filmua duke rrahur një burrë i cili kundërshtoi gjobën që ai vendosi ndaj një familjeje për shkeljen e masave kufizuese për përhapjen e COVID-19 në Athinën qendrore.

Trazirat që pasuan, e përqendruan vëmendjen mbi një vendim të diskutueshëm për të ringjallur një brigadë të njohur policie të motorizuar dhe nxitën më shumë bisedime për forcimin e një mekanizmi për të monitoruar sjelljen e policisë. Por ekspertët thonë se efektiviteti i tij varet nga gatishmëria e atyre që janë në krye për të vepruar.

“Prioriteti ka qenë gjithmonë zbatimi dhe vullneti politik për ta ndjekur atë”, tha Kostis Papaioannou, i cili ndihmoi në krijimin e mekanizmit të monitorimit në vitin 2015 si sekretar i përgjithshëm për të drejtat e njeriut në ministrinë greke të drejtësisë.

Advertisement

“Përndryshe njoftimet e fundit mund të përfundojnë duke qenë një tjetër mënyrë për të shmangur përkohësisht çështjen.”

Rekomandimet nuk merren parasysh

Në kohën e arrestimit të Indares, Ministri i Policisë Michalis Chrisochoidis kishte krijuar tashmë një komitet ad hoc për të shqyrtuar punën e një mekanizmi të drejtuar nga Avokati i Popullit Grek për të monitoruar pretendimet për abuzim të pushtetit nga policia dhe shërbimet e tjera të sigurisë.

I udhëhequr nga avokati dhe akademiku i shquar kushtetues Nikos Alivizatos, komiteti e paraqiti raportin e tij në maj të vitit të kaluar. Raporti mbërriti në parlament në nëntor, dhe – pavarësisht nga mungesa e vëmendjes së konsiderueshme të medias – ishte tepër kritik.

Advertisement

Raporti përmendi njëanshmëri nga ana e hetuesve të brendshëm të policisë, mosgatishmërinë për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit dhe vonesa në dorëzimin e dokumenteve të kërkuara nga vëzhguesit e pavarur.

Raporti bëri thirrje për forcimin e mekanizmit ekzistues të monitorimit, marrjen e masave për të siguruar mbrojtjen e ankuesve, vendosjen e numrave të dukshëm identifikues për të gjithë personelin e policisë dhe përdorimin e kamerave brenda automjeteve të policisë, qelive dhe dhomave të marrjes në pyetje.

Pastaj erdhi rrahja e një burri më 7 mars, gjatë kontrolleve të zbatimit të masave kufizuese të ndërmarra për të frenuar përhapjen e COVID-19 nga policia në zonën Nea Smyrni në kryeqytetin grek.

Të nesërmen, i pyetur për punën e komitetit të tij, Alivizatos tha se autoritetet në thelb “nuk kishin treguar interes” për punën e komitetit “pas incidentit me z. Indares”.

Advertisement

Një demonstratë në Nea Smyrni më 9 mars përfundoi në trazira, me një oficer policie të plagosur rëndë. Në video shfaqeshin njerëz, jo drejtpërdrejt aktivë nëpër trazura, teksa arrestoheshin dhe rriheshin nga policia. Një polic me motor u filmua teksa përplaste me motor një protestues.

Oficeri i policisë i përfshirë në incidentin e 7 marsit u pezullua një ditë pas trazirave.

Ministri nën kritika

Disa nga ata që u ndaluan e akuzuan policinë për keqtrajtim dhe abuzim. Një 18-vjeçare pretendoi se ishte keqtrajtuar, rrahur dhe kërcënuar me përdhunim. Një hetim i brendshëm u ndërpre kur e reja vendosi të mos ngrinte akuza, por avokati i saj tha për BIRN se natyra e akuzave “duhej të kishte sjellë një reagim të menjëhershëm nga autoritetet gjyqësore”.

Advertisement

Më 19 mars, Chrisochoidis kërkoi ndjesë në parlament për “këdo që është përballur me çdo lloj arbitrariteti” nga policia dhe tha se ai nuk “i nënvlerëson ngjarjet që ndodhën në Neo Smyrni”, të cilat ai i karakterizoi si një përjashtim të tmerrshëm.

Pas kësaj, Chrisochoidis akuzoi partitë e opozitës se e kishin ekzagjeruar shumë këtë çështje, duke këmbëngulur se “ndërhyrja jonë ligjore dhe institucionale ka synuar kufizimin e këtij fenomeni”.

Disa anëtarë të sindikatës së policisë iu kthyen kundër ministrit Chrisochoidis mbi vendimin e tij për të ringjallur një brigadë policore të motorizuar të njohur si DRASI.

Ministri e ndërmori hapin pas triumfit të partisë konservatore Demokracia e Re në zgjedhjet e korrikut 2019, pjesërisht pas një premtimi për të rivendosur rendin dhe ligjin pas një dekade mosmarrëveshjesh civile gjatë krizës financiare të Greqisë. DRASI u shpërbë në tetor 2015 për shkak të shqetësimeve në rritje për sjelljen e anëtarëve të saj. Kritikët thonë se shumë nga rekrutët e saj të rinj kanë prejardhje ushtarake dhe kanë bërë trajnim minimal në punën e policisë.

Advertisement

“Ishte gabim të punësoje 1,500 oficerë pa provime, duke anashkaluar akademinë e policisë”, tha Zacharoula Tsirigoti, një toger i përgjithshëm në pension dhe veteran 37-vjeçar i policisë greke. “Një oficer trajnohet për më shumë se dy vjet para se të fillojë punë. Rekrutët e rinj u trajnuan vetëm për një muaj e gjysmë para se të fillonin punën me DRASI-n.”

Ai tha se autoritetet po përsërisnin një gabim të bërë tashmë. “Nuk mund të vendosësh një forcë policore të krijuar për t’u përballur me kriminalitet të rëndë të bëjë kontrolle të zbatimit të masave kufizuese për COVID-19”, tha Tsirigoti për BIRN. “Ky është rezultat i mendimit se çdo problem me të cilin përballet shteti mund të zgjidhet duke përdorur policinë.”

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e adresoi çështjen më 12 mars, duke njoftuar emërimin e një ndihmësi të ri për Avokatin e Popullit për t’u përqendruar vetëm në arbitraritetin e policisë dhe forcimin e mekanizmit ekzistues të monitorimit.

Legjislacioni në shkurt 2020 tashmë kishte forcuar kompetencat hetimore të Avokatit të Popullit, i cili ka raportuar një rritje prej 75 për qind të ankesave të sjelljes së keqe të policisë gjatë vitit të kaluar.

Advertisement

Më 23 mars, një zyrtar nga Ministria e Policisë i tha gazetës Kathimerini se policia greke do të vendoste kamera trupi në 20 oficerë, përfshirë disa në njësinë DRASI, si një program pilot.

Për Indares-in, tashmë dëmi psikologjik është bërë.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të përshkruar ndikimin psikologjik të kësaj historie. Kur pashë videon e George Floyd m’u deshën tre net që të mund të flija përsëri”, tha ai, duke iu referuar një 46-vjeçari me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara i cili vdiq ndërsa u arrestua në Minneapolis kur një oficer policie i vendosi gjurin në qafë për më shumë se tetë minuta.

“Isha në të njëjtin vend”, tha Indares, “me një oficer policie që më kishte vënë këmbën mbi kokë.”

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy