ANALIZA: Strategjisë serbe të “blerjes së kohës” i ka ardhur fundi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Strategjisë serbe të “blerjes së kohës” i ka ardhur fundi

Nga MarkoSavković, European Western Balkans

Për ta kuptuar natyrën e pushtetit, qeverisjen dhe prapambetjen demokratike në Serbi, si dhe ndryshimet në kulturën tonë politike, institucioneve evropiane u duhej kohë. Tek e fundit, edhe Freedom House nuk e kategorizoi vendin tonë si një “regjim tranzitor apo hibrid”,deri para vitit 2019.

Në fakt, Parlamenti Evropian “është i zhgënjyer që ka pasur hapa prapa edhe për çështje që janë thelbësore për anëtarësimin në BE”.Dhe në fakt kjo nuk ka të bëjë aspak me Kosovën. Ne mund ta kemi gabim, por të “paktën për PE, koha e “blerjes së kohës”, përmes premtimit të lëshimeve që nuk do të materializohen kurrë, mund të ketë marrë fund.

Njëqind e ca paragrafë në raportin e Parlamentit Evropian (PE) mbi Serbinë, paraqesin një panoramë të hollësishme të realitetit politik në vend. Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet, se ndërsa kritikat ngrihen ndaj koalicionit qeverisës, me këtë raport Parlamenti Evropian nuk ka dalë nga mandati i tij.

Advertisement

Prej disa vitesh, prania dhe kontributi i PE-së në politikën e zgjerimit ka evoluar. Pas zgjedhjeve të vitit 2019, ekziston një PE e ndryshme, me një rol më të spikatur të grupimeve politike të gjelbra dhe liberale, që po ekuilibrojnë ata që ka qenë për vite me radhë dominues, Partinë Popullore Evropiane (EPP).

Një vlerësim më kritik apo ndoshta më i matur i përpjekjeve dhe arritjeve të përgjithshme të Serbisë në proverbialen “rrugë evropiane”, ka qenë me ne që prej raport-progresit të vitit 2019. E reja është paragrafi 24, dhe përmendja me emër e 4 prej “rasteve me një nivel të lartë të interesit publik” – Krušik, Jovanjica, Telekom Srbija dhe Savamala.

Nëse përvoja e Kroacisë shërben si shembull, asnjë vend nuk mund të anëtarësohet në BE, pa zgjidhur më parë problemet e përmasave të tilla.

Përmendja e tyre përbën një siklet publik për Beogradin, ndaj nuk është çudi që janë investuar disa përpjekje për t’i mbajtur ata jashtë variantit përfundimtar të dokumentit. Gjithsesi ato nuk kanë sjellë asnjë ndryshim. Pasi PE do të vazhdojë të këmbëngulë në zgjidhjen e tyre të plotë dhe në kohë, ashtu si edhe shoqëria civile.

Advertisement

Dhe të gjitha ato janë po aq të rëndësishme – prishja e paligjshme e pronës private në lagjen Savamala, së cilës PE iu referuar sërish në vitin 2018 është ende pjesë e raporteve. Një paragraf tjetër tejet kritik ka të bëjë me “sulmet verbale të papranueshme dhe rastet e gjuhës së urrejtjes” (paragrafi 20) kundër eurodeputetëve që kanë përfaqësuar PE në marrëdhëniet me Serbinë, më së shumti ndaj eurodeputetes sllovene Tanja Fajon.

Tani, si udhëheqëse e socialdemokratëve të Sllovenisë, ajo ka qenë subjekt i një fushate shpifjesh për muaj me radhë. Ndoshta sepse përfaqëson një grupim politik kundërshtar; apo sepse e njeh mirë kontekstin e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, shumë është shkruar mbi retorikën anti-BE të përdorur nga vendimmarrësit në Serbi.

Në paragrafët 8 deri në 10, raporti duket se përmban një përshkrim gjithëpërfshirës të këtij fakti. “PE shpreh shqetësimin se mediat e financuara nga shteti, kontribuojnë në përhapjen e retorikës anti-BE në Serbi”- thuhet më tej në raport.

Autorët e raportit hezituan t’i përmendin me emër, por kjo mund të jetë subjekt i një raporti më të gjerë, që do të prodhonte me siguri përfundime të pakëndshme për transmetuesit publik serb, që po mbizotërohen nga euro-skeptikët dhe euro-skepticizmi.

Advertisement

Ne gjithashtu vërejmë se në kontekstin e pandemisë, kjo përmbajtje euroskeptike shpesh ndërthuret me mesazhe të rrezikshme anti-shkencore. Kështu, nuk është e pazakontë të shohësh kundërshtarë të vaksinave dhe teoricienë konspirativë të të gjitha ngjyrave që çoroditin dhe mashtrojnë qytetarët.

Meqenëse dialogu Beograd-Prishtinë nuk ka dhënë rezultate të reja – përveçse në procesin paralel shumë të diskutuar dhe të kritikuar të udhëhequr nga SHBA -raporti paralajmëron Serbinë mbi pasojat negative të zhvendosjes së ambasadës së saj në Jeruzalem.

Gjithashtu,Parlamenti Evropian kritikon “praninë dhe ndikimin në rritje të Kinës”, së pari në lidhje me “mungesën e transparencës dhe vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social të investimeve dhe kredive kineze”; dhe më pas në kontekstin e shtrirjes së politikës së jashtme të Serbisë.

Raporti i Parlamentit Evropian,përbën paralajmërimin më të qartë për Beogradin deri më tani, se Brukseli është shumë i vetëdijshëm për realitetin e situatës politike në Serbi, dhe mbi natyrën e regjimit në pushtet.

Advertisement

Gjithsesi,nuk është e qartë se kur dhe si do të priten mesazhet kryesore nga vendimmarrësit e shteteve anëtare. Në këtë drejtim, duhet të ndiqni nga afër fjalimet e ambasadorëve të vendeve të BE-së; të dërguarit për Ballkanin Perëndimor; dhe së fundmi përfaqësuesit e Quint-it (Pesëshes).

Progresi i mëtejshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE,është kushtëzuar prej kohësh nga Kapitujt 23 dhe 24. Dhe do të mbetet të shohim nëse mungesa e progresit në dialogun ndërpartiak, ku faji mund t’u atribuohet qartazi autoriteteve qeverisëse, do të çonte përfundimisht në pezullimin e ndonjë prej programeve të ndihmës, apo të vetë negociatave krejtësisht.

Beogradi ka ende hapësirë për ta shmangur një skenar të tillë, por jo përmes lëshimeve të mëtejshme për Kosovën (vështirë të imagjinohet të ndodhë para vitit 2022), por duke përmbushur kushtet e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. /Përktheu: Alket Goce-abc

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy