ANALIZA: Vaksina dhe kolapsi i Evropës

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Politikanët e Kosovës duhet të kritikohen ashpër për menaxhimin e dobët të pandemisë. Përgjegjësi të lartë s’ka treguar as opozita e deridjeshme, e cila që nga 14 shkurti po përkundet e vetëkënaqur në rezultatin elektoral. Por, mossigurimi i vaksinës ka arsye më të thella – ato gjenden te dështimi i burokratëve të BE-së dhe OKB-së

Nga Enver Robelli

Para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, qeveria në detyrë e Kosovës vendosi të lirojë edhe më shumë masat gjatë pandemisë. U tha se edhe studentët do të kthehen nëpër universitete. Policia, inspektorët, politikanët qe disa javë shikojnë me indiferencë përballë festave, ndejave, dalldive nëpër kafene të Prishtinës. Meqë lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, festat dhe dallditë (me muzikë “live”) fillojnë aty rreth orës 18:00, bashkë me lajmet e hershme të mbrëmjes. Nga 700 të infektuar në ditë, e deri në 13 të vdekur brenda 24 orëve – kujt i bën përshtypje kjo? Me gjasë askujt. Pothuaj asnjë fjalë empatie nga politikanët – as nga ata që ushtrojnë detyra qeveritare, as nga ata që po ushtrohen të marrin pushtetin, pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ndoshta s’kanë çfarë të thonë politikanët e Kosovës për shkak se me sjelljet e tyre nuk kanë qenë shembull i menaxhimit të pandemisë. Përkundrazi.Në Kosovë ka një debat mbi atë se përse qeveria nuk arriti të sigurojë ende vaksina kundër virusit. Pyetje me vend, sidomos për shkak se para zgjedhjeve u tha se vaksinat do të vijnë gjatë shkurtit. Muaji i shkurtër iku, kaloi edhe mesi i marsit – dhe vaksinat s’po shihen askund. Burrështetasi gjerman, Otto von Bismarck, citohet të ketë thënë: “Asnjëherë s’gënjehet më shumë se para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjuetisë”. “Mjekët e Kosovës do të vaksinohen në Kukës”, tha Edi Rama. Presidenti serb më herët është tallur me shtetin e Kosovës, duke futur ilegalisht doza vaksinimi në veri të vendit.

Të gjitha këto janë zhvillime shqetësuese për Kosovën. Sepse kur politikanët s’kanë autoritet të flasin për pandeminë më të rrezikshme të 100 vjetëve të fundit, atëherë është goditur vetë integriteti i shtetit dhe institucioneve të tij. Prandaj, tingëllon ngjashëm kur një politikan thotë “e kemi menaxhuar mirë pandeminë” ose “nuk e kemi menaxhuar mirë pandeminë” – në të dyja rastet nuk do të merret seriozisht. Megjithatë, mossigurimi i vaksinës ka arsye më të thella – ato gjenden te dështimi i burokratëve të BE-së dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Programi COVAX, përmes të cilit koordinohet shpërndarja e vaksinave, po tregohet tejet joefektiv.

Advertisement

Jo për t’i mbrojtur politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës, por për të plotësuar tablonë disa shembuj. Gjermania, shteti që konsiderohet kampion së paku evropian në menaxhim të suksesshëm të krizave, gjendet para valës së tretë (disa thonë në mes të valës së tretë) të pandemisë. Javën që shkoi, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, foli për disponimin në shoqërinë gjermane. Ai tregoi se si njerëzit po e humbin durimin dhe se si pasiguria po ua tensionon nervat për shkak se ka pak teste të shpejta, pak doza vaksinimi, sepse dozat janë porositur me vonesë, sepse është kursyer aty ku s’është dashur të kursehet, sepse, sipas të tjerëve, për disa vaksina janë paguar çmime tepër të larta, ndërsa shpërndarja është e padrejtë dhe e organizuar keq, shteti: i ngadalshëm, administrata: e plogët: zgjidhjet digjitale: askund. “Pas përvojave të muajve të fundit duhet të pranojmë se shteti ynë nuk ka qenë gjithkund sa duhet i përgatitur për një krizë të tillë”, tha Steinmeier. Që kjo të mos mjaftonte, disa deputetë të partive konservatore, CDU-së dhe CSU-së, janë zbuluar se kanë përfituar nga biznesi me maska ose se mbajnë lidhje të ngushta me regjime autoritare. Po, në Gjermani ka ndodhur kjo! Me një dallim: këta deputetë u përjashtuan nga grupi parlamentar, disa dhanë dorëheqje nga Parlamenti, të tjerët janë në proces të largimit.

Italia duket se e ka humbur durimin me burokratët e Brukselit dhe të OKB-së, andaj është paralajmëruar se nga vera një ndërmarrje italo-zvicerane do të nisë me prodhimin e vaksinës ruse “Sputnik V”. Ndonëse BE-ja s’e ka miratuar ende këtë vaksinë. Hungaria ka filluar vaksinimin me “Sputnik V”. Në Zvicër, një vend me industri farmaceutike tepër të rëndësishme në nivel global, partia më e madhe dhe më populiste thotë se vendi është shndërruar në diktaturë. Natyrisht që kjo është rrenë, por e vërteta e hidhur mbetet: kush është nën 75-vjeçar dhe kush s’është mjek, për të s’ka vaksina, për të vlen porosia: “Në dorë të Zotit”.

A ka mundur Kosova të sigurojë vaksina? Pyetje hipotetike. As Bosnja, as Maqedonia, as Mali i Zi nuk kanë arritur të sigurojnë, kanë pranuar dhurata nga Serbia. Në rastin e Kosovës një gjë e tillë s’vjen në konsideratë. Por, problemi i Kosovës është edhe te menaxhimi. Te përkohshmëria e qeverisjes, te improvizimet, te papërgjegjësia e rrëzimit të qeverisë pas shpërthimit të pandemisë një vit më parë, te mungesa e përvojës politike dhe menaxheriale – dhe mbi të gjitha te mungesa e autoritetit. Prandaj, politikanët ngushëllohen me parulla: “Mirë e kemi menaxhuar pandeminë”. Po, shumë mirë, bravo. Po ta kishit menaxhuar mirë, do të kishit siguruar së paku 100 vaksina dhuratë nga ndonjë shtet perëndimor. Do të kishit kontaktuar biznesmenë shqiptarë me ndikim në botën perëndimore, të cilët janë aktivë në fushën e testimeve kundër COVID-19. Do të kishit mobilizuar armatën e mjekëve shqiptarë në Perëndim. Jo, s’e keni bërë këtë, sepse ende në politikë dominon mentaliteti i odave dhe i pritjes.

Në “marrëveshjen e Washingtonit” të shtatorit 2020 janë futur pika si kjo: Kosova do të luftojë diskriminimin e homoseksualëve nëpër dynja dhe do të trajtojë Hizbollahun si organizatë terroriste. Super! Po përse nuk është insistuar të futet një pikë që thotë se SHBA-ja do ta furnizojnë Kosovën me vaksina në atë çast që vaksinat do të jenë në dispozicion? Sepse që do të ketë vaksina, kjo është ditur që nga vera e vitit të kaluar.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy