Asgjë në mesin e gjithçkaje

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Asgjë në mesin e gjithçkaje

Njohësit e integrimeve Evropiane mendojnë se Samiti në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor i planifikuar të mbahet me 6 tetor të këtij viti në Brdo të Sllovenisë nuk do të sjellë asgjë konkrete për rajonin e në veçanti për Kosovën.

Sipas tyre, ky Samit do të jetë më dekurajuesi që ka qenë ndonjëherë për Ballkanin Perëndimor.

Besnik Vasolli, njohësi i integrimeve Evropiane për Albanian Post ka treguar se cilat do të jenë temat kryesore të cilët do të diskutohen në këtë samit në lidhje me Kosovën.

“Tashmë ka sinjale që samiti nuk do të konfirmojë të ardhmen evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova nuk mund të pres shumë nga ky samit. Dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të jenë temat kryesore”, ka thënë Vasolli.

Advertisement

Në anën tjetër edhe njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, për AP ka thënë se Kosova nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha, për arsye se nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret sa i përket prospektit të anëtarësimit në BE.

Kjo për shkak të vullnetit politik të pesë shteteve të BE-së për mos pranimin e shtetësisë së Kosovës.

Mazreku, potencon se samiti në fjalë nuk është platforma apo mënyra e zgjidhjes së çështjes së mos njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së por sipas tij, diplomacia aktive e Kosovës e cila ka objektiva të qarta do të kontribuonte në zgjidhjen e problemit.

“Objektiv strategjik i Kosovës do të duhej të ishte arritja e këtyre pesë njohjeve të munguara, gjithmonë nëse Kosova vazhdon ta ketë në objektiv të saj anëtarësimin në BE”, ka thënë Mazreku.

Advertisement

“Nga ky samit nuk pres hapa konkret. Do të ketë deklaratë të përbashkët e cila do të formulohet si e tillë që nuk dekurajon shtetet në përmbushjen e kritereve për anëtarësim”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Vasolli, mbetet skeptik edhe për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët edhe pse kryesimin e Presidencës së Këshillit të BE-së e ka Sllovenia, e cila është pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Sllovenia është një mbështetëse e njohur e Ballkanit dhe Kosovës, por shumë pak varet nga ajo. Shpresoj që Sllovenia do ta ngrejë këtë temë për diskutim, por nuk pres ndonjë sukses në arritjen e liberalizimit të vizave”, ka potencuar ai.

Ai ka dhënë edhe shembuj të tjerë se pse nuk pret entuziazëm në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët gjatë samitit të BE-së, pasi sipas tij Gjermania sapo ka dalë nga një proces zgjedhor dhe Franca do të ketë zgjedhje disa muaj më vonë.

Advertisement

“Gjermania sapo doli nga zgjedhjet dhe duhet të presim për pozicionin e qeverisë së re gjermane për këtë çështje. Franca ka zgjedhje presidenciale më 10 prill të vitit 2022, gjatë kësaj kohe Franca do të udhëheqë BE -në dhe nuk pres ndonjë lëvizje drejt liberalizimit të vizave”, është shprehur ai.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor po kalon një periudhë të vështirë sa i përket anëtarësimit në BE, pasi që asnjë vend në rajon nuk ka bërë përparim të rëndësishëm vitet e fundit.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të bllokuara duke pritur hapjen e negociatave. Kosova ka pritur për tre vjet që vendet anëtare të diskutojnë për liberalizimin e vizave, por pa sukses. Mali i Zi dhe Serbia nuk kanë hapur ndonjë kapitull të ri, dhe Bosnja dhe Hercegovina është duke numëruar në vend”.

Pa shpresë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është edhe Mazreku, i cili mendon se është qëndrim i disa shteteve anëtare të BE-së të cilët janë kundër këtij procesi.

Advertisement

“Kosova nuk mund të pres shumë nga ky takim në lidhje me marrjen e vendimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian pasi që ata të cilët marrin vendim për liberalizimin e vizave në kuadër të këtij institucioni janë ministrat respektivë të shteteve anëtare të BE-së”.

Para samitit të sivjetshëm në mes të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në disa mediume prestigjioze evropiane janë publikuar dokumente të cilët kanë shkaktuar konfuzion sa i përket të ardhmes së rajonit në union.

Kështu në një dokument të brendshëm të Bashkimit Evropian të cilën e kishte siguruar mediumi EUobserver, thuhej se qëndrimi i paligjshëm dhe kërkesat e pabazuara për azil nga disa shtete të Ballkanit Perëndimor, kryesisht Shqipëria dhe Serbia, po shkaktojnë diskutime mbi pezullimin e udhëtimit pa viza në BE.

Në anën tjetër një dokument tjetër i klasifikuar i cili ishte siguruar nga agjencia e lajmeve, Reuters, thuhej se BE-ja nuk mundet assesi të garantojë për anëtarësimin e sigurt të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pasi që vendet e pasura si Franca, Danimarka dhe Holanda kanë frikë se gabimet e një anëtarësimi të shpejtë si ajo e vitit 2007 në BE do të përsëritet.

Advertisement

Samiti i vitit 2020 në mes të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian i parashikuar të mbahej në Zagreb të Kroacisë, për shkak të pandemisë COVID-19, ishte organizuar në formë të një video-konference. /Albanianpost.com

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy