
Në Kosovë më 17 qershor janë regjistruar edhe dhjetë raste të reja me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) shifra bazohet në testimin e 1.848 mostrave.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 12 pacientë ndërsa raste aktive janë 184 .
Me këto shifra, sipas IKSHPK-së, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë qëndron në 107,620, i viktimave në 2,250 dhe i të shëruarve në 105,186.
Të martën në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.
Kosova ka pranuar donacione vaksinash nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.
Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri të enjten janë dhënë 118.538 vaksina. Të vaksinuar me dy doza janë 15.093 qytetarë.