Avionët luftarakë francezë, një blerje përtej mundësive dhe kapaciteteve për Greqinë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Avionët luftarakë francezë, një blerje përtej mundësive dhe kapaciteteve për Greqinë

Nga Glevin Dervishi*

Forcat Ajrore të Greqisë si një prej aseteve kyç janë nën mbikëqyrjen direkte të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, madje gëzojnë një vëmendje të posaçme në hierarkinë ushtarake.

Ato vetë janë të organizuara në nivel Shtabi të Përgjithshëm të Forcave Ajrore, që kujdeset për drejtimin dhe organizmin e tyre. Aviacioni është një armë financiarisht shumë e shtrenjtë dhe me ndryshueshmëri të lartë teknologjike, çka e bën ruajtjen e superioritetit ajror tepër të vështirë. Aviacioni grek prej krizës financiare përballet prej një kohe të gjatë me pamundësinë për blerjen e avionëve ushtarakë të gjeneratës së katërt. Kjo forcë ka në përbërje të saj rreth 230 avionë dhe ka një përqendrim të forcës së saj kryesisht në kufijtë lindorë të vendit dhe në Egje, ku dhe shpesh tensionet janë bazë për përsosmërinë e aftësive operacionale të personelit ajror grek, të cilët renditen ndër forcat ajrore më të afta në NATO.

Sfidat e sigurisë kombëtare të vendit që vijnë nga këto anë kanë orientuar organizimin dhe shpërndarjen e Forcave të Armatosura në masën 80% të personelit dhe pajisjeve të saj në funksion të përballimit të kërcënimeve, ku mbizotërojnë përpjekjet për mbrojtjen e kufijve detarë dhe ajrorë në Egje, çka tregohet edhe nga harta e mëposhtme. Siç vihet re në hartë, pozicionimi i njësiteve ushtarake është më i dendur në ishujt e Egjeut, duke filluar me Lemnosin, Lesbosin, Kiosin, Samosin, Kosin, Rodosin dhe Kretën, të cilët përbëjnë perimetrin e mbrojtjes së unazës së zjarrtë të kufirit greko-turk.

Advertisement

Si rezultat i sfidave konstante në sigurinë kombëtare dhe nevojës për të ruajtur kontrollin, si dhe për të ndjekur ritmin teknologjik dhe për t’u përgjigjur ndaj kapaciteteve ushtarake të fqinjëve, Greqisë i është dashur të kryejë investime të shpeshta në fushën e mbrojtjes. Procesi i fundit i modernizimit të ushtrisë greke u bazua në një program prokurimi të ndarë me tri faza, i filluar në vitin 2006 dhe i konsideruar si një plan realist:

-Faza e parë – 2006-2010,

-Faza e dytë – 2010-2015,

-Faza e tretë – 2015-2020.

Advertisement

Për realizimin e këtij plani, fatura financiare është mbi 22 miliardë euro, edhe pse buxheti për mbrojtjen mund të gjenerojë vetëm 37% të këtyre nevojave, sepse shkurtimet gjatë krizës e kanë çuar buxhetin për mbrojtjen nën 3%, për herë të parë që prej vitit 1974. Ndër prioritetet e këtij plani janë: blerja e avionëve të gjeneratës së katër, fregatave shumërolëshe, helikopterëve të transportit, e sistemeve modern të artilerisë vetëlëvizëse, pajisjet e luftimit të këmbësorisë, pjesëve të mirëmbajtjes dhe C4I (Command Control Communication Computers Intelligence).

Blerja e 18 avionëve Rafale nga Franca është padyshim një nga blerjet më të mëdha në kuadër të këtij plani dhe më të kushtueshme të Greqisë në këto vitet e fundit. Greqia dhe Franca kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe kryesisht për Forcat Ajrore Greke ku në vitin 1974 bleu Mirage f 1, më pas në 1989 Greqia bleu 40 avion Mirage 2000 shumërolësh.

Avionët e rinj shumërolësh të gjeneratës së 4 Rafale duken një blerje që vështirë se do ta justifikojnë faturën e kripur prej gati 3 miliardë eurosh pasi natyra e këtij avioni tepër të kushtueshëm në operim, mirëmbajtje, sistemet e luftimit, armatimit, supermacia teknologjike dhe rrezja e tij e veprimit prej gati 3700 km që është sa 2-fishi i avionëve Mirage 2000 apo 4-fishi i 80 avionëve f-16 tashmë në modernizim e sipër që janë në inventarin e Forcës Ajrore Greke. Këto cilësi dalin përtej sipërfaqes ajrore të vendit, nevojave, natyrës së operacioneve, kapaciteteve dhe rrezes së veprimit të kësaj force e cila mision kryesor ka mbrojtjen e hapësirës ajrore kombëtare dhe jo operimin në distanca të mëdha apo përtej vijave të armikut.

Nëse do të analizojmë faktin që avionët luftarak grek angazhohen mesatarisht në 10 misione “scramble” gjatë 24 orëve mbi Egje të cilët shpesh përfundojnë dhe në “dog-fights”, ngritja në ajër çdo ditë e avionëve të tillë si Rafale është jashtë çdo logjike ekonomike dhe nga pikëpamja taktike jo rezultative. Nuk duhet harruar fakti që korridoret e veprimit të Forcave Ajrore Greke mbi Egje janë të ngushta dhe shumë të shkurtra, ku koha mesatare e misoneve është rreth 20 minuta. Distancat më të mëdha të operimit janë në hapësirën ajrore shqiptare dhe të Maqedonisë së Veriut në kuadër të policimit ajror si vende të NATO-s. Kjo blerje duket qartë që ka një natyrë strategjike politike për të pasur Francën në krahë ashtu siç dhe u evidentua sëfundmi edhe nga fërkimet në Egje gjatë misioneve të grupit detar turk të kryesuar nga anija Uruç Reis.

Advertisement

Roli i Francës në BE si dhe prezenca e flotës ushtarake franceze gjatë verës në Egje dhe Mesdheun Lindor i dha Greqisë sigurinë psikologjike por nga ana tjetër ndihmoj si forcë shkurajuese për veprimet turke. Rolin shkurajues duket që tani do të kenë dhe skuadriliet e avionëve Rafale, por për një vend të vogël si Greqia me financa të cunguara është një luks tepër i madh që një aset të tillë ta mbaj kryesisht për këtë funksion. Thënë ndryshe është një blerje e Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe jo e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, si blerje e imponuar nga rrethanat gjeopolitike në Egje dhe jo nga nevojat ushtarake. Kjo blerje ka rikonfirmuar dhe njëherë rolin e konsoliduar të Ministrisë së Jashtme në sigurinë kombëtare të Greqisë, madje ajo ka dalë triumfuese përball Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.

Në doktrinën e mbrojtjes greke përballë Turqisë, zgjidhja e dilemës strategjike që has Greqia, do të mbështetet në “Përgjigjen Fleksible”, që ka në themel krijimin e zgjidhjeve të veçanta në raste menaxhimi krizash, por duke u kujdesur për një shmangie të përplasjeve ushtarake dhe, në të njëjtën, kohë moslejimin e një situate ku Greqia tërhiqet në misionin e saj për mbrojtjen e ishujve dhe të drejtave mbi to. Për të mundësuar realizimin e përgjigjes fleksible, Greqisë do t’i duhet të zgjerojë kapacitetet ushtarake në mënyrë të vazhdueshme por racionale, që do t’i garantonte ruajtjen e hapësirës dhe e interesave strategjikë në Egje, por kjo rrezikon të fusë sërish financat kombëtare në kurthin e krizës ciklike. Përballë sfidave të sigurisë kombëtare, Greqia duket se do të zgjedhë thellim të huas me një motiv shumë sublim dhe të mirëkuptuar nga qytetarët e saj: atë të shpenzimeve për mbrojtjen kombëtare.

Në kushtet e një sipërmarrjeje të ethshme nga Turqia për t’u projektuar si fuqi e mesme – e madhe dhe me programe të ngritjes së kapaciteteve ushtarake në nivele të autonomisë absolute nga ana e Turqisë, Greqia po vendoset shpejtë në pozitën që do t’i duhet të rimarrë kohën e humbur gjatë viteve të krizës. Një Turqi në kërkim të statusit si një fuqi ushtarake në rajon e më gjerë ka predispozitën për të qenë më e prirë që të zbatojë një politikë aktive ushtarake, shtuar këtu ritmin e lartë të rritjes ekonomike krahasuar me Greqinë, faktorin njerëzor gjithnjë në rritje dhe faktin që Greqia në këta dy indikatorë vijon të njohë rënie. Ndaj një forcë detare moderne, një aviacion luftarak modern, ngritja e kapaciteteve të mbrojtjes dhe mbajtja gjallë e jetës nëpër ishujt e Egjeut nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe mundësive për banorët e ishujve, do të jetë një detyrë me të cilën Athina do të vijojë të përballet.

Nga ana tjetër, proceset e nisura të mekanizmave të ndërtimit të besimit, konsultimet diplomatike dhe konsultimet eksploratore do të vijojnë të jenë gjithnjë një mekanizëm për reduktimin e presionit dhe të menaxhimit të situatave përtej operimit normal mes dy vendeve, por pa arritur që të prodhojnë rezultate konkrete, pasi çdo vendim për avancim apo për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare mes dy vendeve përveçse angazhon aparatin diplomatik të të dy vendeve, në fund është një produkt që kombinon diplomacinë, mbrojtjen, lidershipin, financat, raportet e balancave rajonale, përfshirjen e aktorëve ndërkombëtarë dhe faktorin kohë. Ecuria e raporteve dypalëshe për vetë rajonin ku shtrihen dy vendet dhe ndërlidhjen e një sërë interesash të fuqive të mëdha, do të vijojë të mbajë të mbërthyer të gjithë aktorët e mëdhenj globalë në mbarëvajtjen e kësaj marrëdhënieje.

Advertisement

*Anëtar i grupit negociator me Greqinë dhe diplomat në Ministrinë e Jashtme

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy