
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur deputetes demokrate Jorida Tabaku e cila në Kuvend gjatë seancës parlamentare të sotme tha se 55% e familjave shqiptare nuk mbyllin dot muajin dhe akuzoi qeverinë se refuzon të ngrejë pensionet për pensionistët.
Balla e quajti Tabakun gënjeshtare dhe theksoi se sot do të miratohet rritja më e madhe në histori për pensionet.
Balla: Të gënjesh pa tu dridhur buza dhe qerpiku është kurajo e madhe. Në konferencën e kryetarëve ua kemi thënë shumë qartë se kërkesa juaj e merr përgjigjen pas kësaj pike të rendit të ditës, kur qveria i paraqet popullit shqiptar buxhetin më të madh në historinë e vendit, 8.9 mld euro, nga të cilat 14.7 mld euro janë vetëm për politika sociale.
Ata që na ndjekin e kuptojnë që kjo është një strategji, një garë mes jush se kush mbledh ca firma për të ardhur për të kërkuar një mocion me debat. Nuk gjej dot asnjë shpjegim tjetër se si përmes kësaj gare keni kërkuar mocione me debate më shumë se sa keni kërkuar në katër vite, a thua se nuk keni qenë ju. Sapo u tha “po na mohohet e drejta jonë për të bërë debat”. Kemi bërë 40 orë debat në dy muaj, nga të cilat 23 orë i keni harxhuar ju, 17 i kemi marrë ne bashkë me qeverinë. Nga ana jonë keni dakordësinë të miratojmë çdo kërkesë që vjen nëse është në përputhje me Kushtetutën, rregulloren. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur me ju. Gënjeu kolegia që tha “qeveri që refuzon të ngrejë pensionet”. Ne sot jemi këtu për të miratuar ngritjen më të madhe të pensioneve në historinë e këtij vendi.
Për dy ditë, sot dhe nesër, Kuvendi do të zhvillojë një seancë parlamentare dyditore, ku në qendër të debateve do të jenë paketa fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2026, dokumentet më të rëndësishme financiare të vitit.
Seanca do të shqyrtojë ndryshimet ligjore që shoqërojnë buxhetin dhe “paqen fiskale”, që përfshin faljen e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese.
Pavarësisht rëndësisë së paketës, opozita ka kundërshtuar mënyrën e procedimit, duke deklaruar se dokumentet kanë mbërritur me vonesë dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për një analizë të thelluar.
Projektbuxheti i vitit 2026, me një vlerë prej 8.8 miliardë eurosh, shoqërohet nga tetë projektligje, të cilat kaluan në komisione me procedurë të përshpejtuar.
Ligjvënësit do të diskutojnë në parim të gjitha projektligjet që përbëjnë paketën fiskale: nga ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, TVSH-në dhe tatimin mbi të ardhurat, te shtesat në ligjin e taksave vendore dhe projektligji për faturimin dhe monitorimin e qarkullimit.
Në rend dite janë gjithashtu marrëveshja e paqes fiskale, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme dhe projektligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Në fund të seancave pritet të diskutohet edhe projektbuxheti 2026 në parim, çka pritet të ndezë debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për prioritetet fiskale të vitit të ardhshëm.