Banorët e “5 Majit” nënshkruajnë kontratat me Bashkinë e Tiranës; VKM-ja siguron kompensim të plotë për ata që preken nga ndërtimi i lagjes së re

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Banorët e “5 Majit” nënshkruajnë kontratat me Bashkinë e Tiranës; VKM-ja siguron kompensim të plotë për ata që preken nga ndërtimi i lagjes së re

Në lagjen “5 Maji” në Tiranë po punohet me shpejtësi për ndërtimin e pallateve të reja, ku do të strehohen familjet, shtëpitë e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ndërkaq, burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se një numër i konsiderueshëm i banorëve që preken nga projekti i lagjes së re te “5 Maji”, janë dakordësuar dhe kanë plotësuar dokumentacionin për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.

Të njëjtat burime shprehen se Bashkia e Tiranës po vijon edhe me nënshkrimin e kontratave me banorët e zonës, sipas asaj çfarë parashikon VKM-ja. Në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë.

“Shpronësimin për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin e zonës së re, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësitë administrative 4 dhe 8, zona ‘5 Maji’, Bashkia Tiranë”. Pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen, përmes kompensimit me shkëmbim, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”, thuhet në pikën 1 dhe 3 të vendimit Nr. 533, datë 22.9.2021.

Përfitues nga ky projekt do të jenë edhe familjet të cilat kanë pasur ndërtime pa leje, duke u shpronësuar 100% e sipërfaqes së objektit pa leje. “Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100% e sipërfaqes së objektit pa leje, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme do të jetë në përfundim të realizimit të projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësitë administrative 4 dhe 8, zona ‘5 Maji’, Bashkia Tiranë”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Advertisement

Për të lehtësuar këtë periudhë, Bashkia ka marrë përsipër dhe dhënien e bonusit të qirasë për banorët që preken, derisa ata të marrin në dorë çelësat e banesave të reja. “Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit”, citohet në vendimin e qeverisë. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka miratuar tashmë në Këshill Bashkiak procedurën që do ndjekin strukturat e saj për të gjithë këtë kategori përfituesish.

Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy