Bashkia e Tiranës nis shpërndarjen e Kartës Rinore Europiane, çmime të reduktuara për gjimnazistët dhe studentët shqiptarë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Bashkia e Tiranës nis shpërndarjen e Kartës Rinore Europiane, çmime të reduktuara për gjimnazistët dhe studentët shqiptarë

Të rinjve të Tiranës do t’u ofrohen të njëjtat përfitime si bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Bashkia e Tiranës nisi shpërndarjen e Kartës Rinore Europiane për gjimnazistët dhe studentët, e cila njihet në 36 vende të Europës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi, shpërndanë kartat e para, të cilat ofrojnë një sërë mundësish për studentët shqiptarë.

 

Veliaj tha se deri më tani, falë Kartës së Studentit dhe marrëveshjeve me bizneset në Shqipëri, të rinjtë përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara në 2000 subjekte.

 

Advertisement

“Deri sot na janë përgjigjur dy mijë sipërmarrje dhe mbi 75% e studentëve të Tiranës e kanë Kartën e Studentit. Shpenzimet nuk mbarojnë, por në momentin kur mund të kursejmë 5, 10, 15, apo 20%, duke filluar nga mensat, pajisjet elektronike, ato shkollore etj., është diçka që të ndihmon, sidomos në këto kohë ku të gjithë duhet të jemi pak më kursimtarë. Por, me Kartën Rinore Europiane që shpërndajmë sot, ne kemi dalë jashtë kufijve të Shqipërisë”, tha ai.

 

Kjo kartë është një mjet që fuqizon të rinjtë, duke ofruar zbritje në 36 vende të Evropës në sektorët: kulturë, akomodim, udhëtim, argëtim, trajnime e studime, sektorin shëndetësor, sektorin bankar, në turizëm, telekomunikacion dhe internet, sport, shopping, etj. Në total janë rreth 7 milion kartëmbajtës dhe mbi 60.000 biznese që ofrojnë zbritje në Europë, ndërsa në Tiranë falë Agjencisë së Rinisë, 2000 shërbime të Kartës së Studentit, do të ofrojnë ulje edhe për mbajtësit e Kartës Rinore Europiane përgjatë vitit 2022.

 

Advertisement

Kryebashkiaku nënvizoi se shpërndarja e Kartës Europiane për të rinjtë do të vijojë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.

 

“Kur duhet t’i japësh zgjidhje diçkaje nuk gjen justifikime pse nuk bëhet. Kartën e Studentit e bëmë meqenëse nuk po e merrte askush tjetër përsipër. Falë ndihmës së Qeverisë dhe Kryeministrit po e bëjmë edhe në bashkitë e tjera. Komplimenti më i madh nuk janë duartrokitjet, por fakti se Karta Rinore Europiane e njeh sot partneritetin me Tiranën dhe thonë: ‘Këtë mrekulli që këta bënë në kaq pak kohë, duke mbledhur kaq shumë shërbime, do duhet që ta çojmë në një nivel tjetër’. Më vjen mirë sot që të rinjtë marrin Kartën Studentore që njihet në Bashkimin Europian”, theksoi ai.

 

Advertisement

Po ashtu, Veliaj ftoi të rinjtë dhe të rejat që të bëhen pjesë e aktiviteteve të cilat po zhvillohen në Tiranë, si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022.

 

“Kemi pasur mbi 300 aktivitete, më shumë se 3-4 në ditë. Kush organizon një aktivitet tregon edhe një aftësi lidershipi, tregon se di t’i mbledhë njerëzit bashkë, të imponohet, të ketë një sens disipline, të organizojë, ndaj quajeni një provë të parë gjenerale për t’u bërë kryetari i ardhshëm i Bashkisë, ose ministrat e ardhshëm. Do të doja të shikoja sesi shumë prej jush në shkolla, gjimnaze, universitete, të organizoni aktivitete për Vitin e Rinisë”, tha Veliaj.

 

Advertisement

Funksioni i dytë i Kartës Rinore Europiane është gjenerimi i informacionit falas nëpërmjet kodit të saj unik (password elektronik dhe username) për: bursa studimore në Evropë, mobilitet studentor, për programe trajnimi, shkëmbimi, workshope, konkurse ndërkombëtare, punë vullnetare, etj. Ky informacion i përditësuar mundësohet falë anëtarësimeve në European Youth Information and Conculting Agency në Luksemburg, European Youth Card Association në Bruksel dhe programit European Solidarity Corps.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy