
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon një takim me me prindër dhe edukatorë të kopshtit “Zubeyde Hanim” të “Turgut Ozal”, ambjente shkollore që u mbyllën nga Ministria e Arsimit disa muaj më parë.
Mbylljen e kopshtit dhe shkollës, Berisha i konsideroi një nga ngjarjet më të rënda ndërsa akuzoi direkt kryeministrin Rama.
“Mbylljen e kopshtit të fëmijëve, e kam konsideruat dhe konsideroj një nga ngjarjet më të rënda që mund ti ndodhë një vendi të pavarur, sovran. Asgjë nuk detyron një qeveri më shumë se fëmija, asgjë nuk detyron një prind më shumë se fëmijë, asgjë nuk detyron më shumë se fëmija.”
Kryedemokrati tha se, kryeministri e mori këtë vendim me urdhër të Presidentit turk, Erdogan.
“Nuk ka njeri normal që mund të imagjinojë të mbyllë një kopsht pa asnjë shkak, me urdhër nga jashtë. Këtë e bën vetëm një qeveritar që është i shkëputur tërësisht nga interesat e fëmijëve në radhë të parë, ëndërrat e fëmijëve, nga interesat e prindërve, shoqërisë, që bën gjithçka për karrigen e tij, që nuk jeton në një realitet që nuk ka nocionin më elementar se çfarë do të thotë sovranitet i vendit.
Në rastin konkret, për këtë tokë, vend, 500 vjet me radhë vendimet janë marrë në Stamboll, por u shkëputën nga ajo kohë. Vendimet duhet të merren në Tiranë. Kjo e kopshtit të fëmijëve është historia më e turpshme. Dikur perandoria mbyllte shkollat se mësohej shqip në to, por ne nuk jemi këtu për të bërë historinë me perandorinë, sepse ne me Turqinë kemi punuar dhe punojmë për të shkruar faqe bashkëpunimi dhe miqësie.”
“Këtu është shkelur çdo ligj, rregull, parim, njerëzor, kushtetues, ligjor.”- u shpreh Berisha.