
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar ambasadoren amerikane në Tiranë,Yuri Kim në lidhje me qëndrimet e saj ndaj PD dhe vetë Berishës.
Përkundër qëndrimit të diplomates amerikane se nuk do të takohet asnjëherë me një politikan të shpallur “non grata” për korrupsion madhor, lideri historik i demokratëve ka deklaruar se ai vetë nuk pranon të takohet me të
SALI BERISHA
KRYETAR I PD
“Enver Hoxha u thoshte shqitparëve që edhe bar do hamë dhe nuk do u nënshtrohemi imperalistëve amerikanë, kurse zonja u tha demokratëve edhe bar do hani. Unë i kam deklaruar se pa kërkesë-ndjesë publike, ajo nuk takohet me Sali Berishën.”
Berisha kritikoi ambasadoren edhe për faktin që ajo njeh si kryetar të PD Enkelejd Alibeajn.
“Çfarë e shtyn zonjën të mohojë? Ku e gjen autoritetin, mbi ç’bazë, mbi ç’konventë, mbi ç’marrëveshje, të mohojë votën e 11 dhjetorit, votën e 6 marsit, 22 majit?”
Përtej betejës me ambasadoren amerikane në Tiranë, kreu i PD Sali Berisha reagoi edhe për vendimin e fundit të kryeministrit Rama në lidhje me çmimin e energjisë elektrike.
“Vendimi i tij për t’u tërhequr, nën presion, çka do të thotë, që vetëm presioni funksionon me këtë njeri.”
Ndërsa në lidhje me amnistinë fiskale Berisha përsëriti qëndrimin e partisë demokratike kundër këtij projekt ligji, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës të mos e votojnë.
“Ai deputet që voton amnistinë fiskale të Edi Ramës, ka votuar krimin dhe vetëm krimin. Rama nuk ka votat për amnistinë dhe është tërësisht lobim i krimit.”
Sipas Berishës amnistia fiskale nuk ka lidhje me emigrantët, por shërben për pastrimin e parave të drogës dhe krimit.