Betejat në kufi: Nga shpallja e Pavarësisë, aksioni për kontrollin në veri, tarifa 100% e deri te targat serbe

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Betejat në kufi: Nga shpallja e Pavarësisë, aksioni për kontrollin në veri, tarifa 100% e deri te targat serbe

Pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak janë kthyer në zona beteje sa herë Kosova ka shtrirë autoritetin në veriun e banuar me serbë. Ato u përfshinë në flakë me t’u shpallur pavarësia, edhe tre vjet më vonë kur Qeveria “Thaçi” ndërmori aksion për të vënë kontrollin mbi to. Rezistencë e tensione prodhoi tarifa 100 për qind e vendosur nga Qeveria “Haradinaj”, dhe tani reciprociteti i aplikuar nga Qeveria “Kurti”.

Ditën kur Kosova e shpalli pavarësinë, Fatmir Sejdiu si president i shtetit më të ri pati një thirrje për serbët.

“Thirrja jonë është që të kthehen në jetën normale, që të jenë pjesëtarë aktivë në proceset e rëndësishme të jetës së përditshme, por edhe jetës institucionale”, pati thënë Sejdiu më 2008.

Aktiv u treguan, por në një formë tjetër.

Advertisement

Në 24-orëshin e parë të shtetësisë, i vunë flakët objekteve të vendosura në dy pika kufitare – Jarinje dhe Bërnjak.

Në Prishtinë prezantohej një realitet tjetër.

“Mund t’ju konfirmoj se çdo cep i territorit të Kosovës është i garantuar, është i mbrojtur, është i kontrolluar”, deklaroi  kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi.

Kosova priti më shumë se tre vjet pas Pavarësisë, derisa mori një vendim. Në korrikun e 2011-s, Qeveria Thaçi autorizoi njësitet elite të policisë për të shkuar në të dyja pikat, ku kërkohej të vendoseshin doganierët e t’u ofrohej siguri atyre.

Advertisement

Plani ishte dekonspiruar. Rruga për në Bërnjak ishte bllokuar e në një nga sulmet e armatosura gjatë kësaj rruge ishte plagosur për vdekje polici i elitës, Enver Zyberi.

Edhe pas këtij zhvillimi, pikëkalimit në Jarinjë iu vu flaka.

Situata rriti trysninë ndërkombëtare për dialog. Disa marrëveshje mbërritën në Bruksel, përfshirë atë për menaxhim të integruar të kufirit.

Ministri i Brendshëm i asaj kohe pati një lutje, pasi nisi zbatimi.

Advertisement

“Hajde për hajr. Ishalla ju shkon mirë”, pati thënë i ndjeri Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm i asaj kohe.

Tensionet kishin pushuar në intensitet. Ndërkohë, barrierat e vendosura prej vitesh rrugëve të veriut u hoqën nga KFOR-i.

Në Bruksel dialogu vazhdoi, por marrëveshjet nuk gjenin zbatim.

Pas shumë barrierave tregtare, Qeveria Haradinaj vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve me origjinë Serbinë.

Advertisement

“U bënë 10 vjet nga pavarësia. Shihet që Serbia nuk merr vesh ndonjë gjuhë tjetër”, tha Ramush Haradinaj në atë kohë.

Dy vjet më vonë, Qeveria “Kurti” e zëvendësoi tarifën me reciprocitet, masë që në Beograd u gjykua si akoma më e rëndë.

“Me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar”, tha Kurti gjatë mandatit të parë.

Qeveria “Hoti”, që mori detyrën pas rrëzimit me mocion të Qeverisë “Kurti”, e hoqi këtë masë. Por, ishte jetëshkurtër qeveria e tij.

Advertisement

Kurti u rivendos në krye të qeverisë, edhe me premtimin për rivendosje reciprociteti.

“Është çështje ditësh ose javësh. Kurrsesi muajsh. Nuk e di tani cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, pati thënë Kurti më 22 prill 2021.

Rreth 5 muaj pas zotimit, Qeveria “Kurti” vendosi reciprocitet në një fushë. Nga e hëna, veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.

Edhe kjo masë nisi të zbatohet me ndihmën e njësiteve elite të policisë, por me barriera të serbëve në rrugë e me rezistencën në pikëkalimet në Jarinje e Bërnjak. (Koha)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy