Bregu: Njerëzit kanë nevojë të jenë të lidhur në shumë mënyra, “Roaming Free” njëra nga mënyrat që e bën të mundur

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Bregu: Njerëzit kanë nevojë të jenë të lidhur në shumë mënyra, “Roaming Free” njëra nga mënyrat që e bën të mundur

“Njerëzit kanë dëshirë dhe kanë nevojë që të jenë të lidhur në shumë mënyra me njëri- tjetrin. Roaming Free është një nga mënyrat që e bën të mundur këtë. Po të kthehemi pas në kohë, tre vjet më parë, kur Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor vendosën të ulin çmimet e lëvizjes brenda rajonit, askush nuk e mendonte se do të vinte dita kur do të kishim një rajon me 0 tarifa të roaming. Por ja ku jemi, vetëm pak ditë para lançimit të Roaming Free në Ballkanin Perëndimor. ”- tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme në takimin Ministror të TIK të Ballkanit Perëndimor të mbajtur sot në Podgoricë.

“Ne jemi krenarë me nënshkrimin e Marrëveshjes Rajonale të Roaming, historike në llojin e vet, me përfitime të prekshme për të gjithë qytetarët. Ky shembull pozitiv i ARH-së është vetëm një gur themelor i transformimit dixhital të rajonit dhe ne nuk po ndalemi me kaq sepse kemi si qëllim ta kthejmë gjithçka në dixhitale, duke u përballur edhe me pengesat e kufizimet që sjellin ndodhi të papritura, siç ishte edhe Pandemia. Ndaj kërkohet një punë e vazhdueshme nga qeveritë, për të mundësuar më shumë shërbime në internet, cilësi dhe mundësi të barabarta, për të gjitha grupet e synuara”.

Dritan Abazoviç, Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi, bashkë-moderator i takimit, i mirëpriti pjesëmarrësit, duke i uruar atyre një punë të mbarë  dhe duke theksuar se tema si këto – dixhitalizimi, inovacioni e bashkëpunimi, e bëjnë rajonin më të bashkuar. Ato duhet të jenë baza për të gjithë aktivitetet në Ballkanin Perëndimor, duke u përqëndruar në të ardhmen premtuese e jo tek e shkuara. Abazoviç shtoi se Mali i Zi është krenar që ka mundësinë të presë Samitin e ardhshëm Dixhital të Ballkanit Perëndimor.

Oliver Varhelyi, Komisioneri Evropian për Zgjerimin tha se Marrëveshja Rajonale e Roaming është tregues i asaj çfarë mund të bëhet kur rajoni bëhet bashkë. “Jam i bindur se ne do të mund të shohim shumë më shumë arritje të përbashkëta në vitet e ardhshme”- theksoi ai.
Ndërsa Thibaut Kleiner, Drejtor për Strategjinë e Politikave dhe Shtrirjen e Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian CONNECT, siguroi edhe njëherë mbështetjen e BE-së për procesin e dixhitalizimit të Ballkanit Perëndimor.

Advertisement

Ministrat shprehën gadishmërinë dhe mirënjohjen e tyre për Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe Bashkimin Evropian, që lehtësuan marrëveshjen e cila mundësoi që zona roaming të jetë gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e roaming-ut, në fazën e parë do t’i ulë tarifat në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor ndërmjet 83% dhe 96% dhe që nga 1 korriku 2021, kur marrëveshja do të hyjë në fuqi të plotë, kostoja e roaming do të jetë zero, duke shënuar kështu fillimin e Roaming-Free në Ballkanin Perëndimor.

RCC organizoi takimin me ministrat e TIK të Ballkanit Perëndimor për të shënuar një nga momentet më të rëndësishme për rajonin, për të diskutuar axhendat e mundshme rajonale dixhitale, në lidhje me veprimet e BE-së si dhe për përgatitjen e një udhërrëfyesi konkret, të parashikueshëm dhe të caktuar enkas për roaming për BE.

Me miratimin e axhendës së Tregut të Përbashkët Rajonal 2021-2024 nga Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes në nëntor 2020, rajoni është zotuar të fillojë një plan transformues rajonal të integrimit ekonomik, përfshirë përpjekjet për të integruar Ballkanin Perëndimor në zona dixhitale pan-evropiane duke përafruar më tej me parimet dhe praktikat e tregut unik dixhital të BE-së.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy